RROGOZHINË– Tre të vdekur dhe dy të plagosur është bilanci tragjik i aksidentit që u shënua mëngjesin e sotëm në aksin Rrogozhinë-Peqin, në vendin e njohur si by pass i Rrogozhinës.

Nga përplasja e dy mjeteve kokë më kokë, ka mbetur i pajetë oficeri i burgut të Peqinit Tonin Mëhilli që drejtonte mjetin tip “Audi”  dhe çifti i bashkëshortëve Merushe dhe Bajram Koni, të cilët po udhëtonin në automjetin “Mercedez Benz”. I plagosur ka dhe një fëmijë, pasagjer i këtij mjeti që po merr mjekim në spital.

Burime për Report Tv thanë se Mëhilli po udhëtonte drejt burgut të Peqinit, ku sapo kishte marrë detyrën si specialist komunikimi. Ai udhëtonte me një “Audi” me targa AA 160 YT nga Tirana në drejtim të Peqinit dhe ka devijuar korsinë, në rrethana ende të paqarta.

“Audi” është përplasur me automjetin tip “Benz” me targa AA 273 NH, ku udhëtonte çifti Koni dhe një i afërm i tyre. Të dyja automjetet kanë qenë me shpejtësi tej normave të lejuara. Në aksident është përfshirë dhe një mjet VW, por pa pasoja për drejtuesin e saj.

Kujtojmë se një tjetër aksident rrugor, dje, u mori jetën 3 personave në Kodër-Kashar. Makina u përplas me murin për pasojë, humbën jetën 2 vëllezërit Ismail Sulaj 66 vjeç e Belul Sulaj 63 vjeç, si edhe kushëriri i tyre Dashamir Dema 50 vjeç.

VERITAS.COM.AL