Faktorët që shkaktojnë aksidentet rrugore janë gjendja e drejtuesit të mjetit, gjendja e makinës dhe e rrugës. Kështu u shpreh eksperti rrugor Gëzim Hoxha në një intervistë për Report Tv me gazetarin Nertil Agalliu duke komentuar aksidentin tragjik në aksin Bulqizë-Maqellarë ku vdiqën tre persona.

Sipas Hoxhës, makina tip ‘Benz 240’ që u nda në 2 pjesë është e vjetër, ndaj në Gjermani ndalohet qarkullimi i tyre sepse janë të kalbura dhe nuk u mbijetojnë dot përplasjeve.

“Në të gjithë botën, jo të gjithë rrugët janë të ndriçuara sepse vetë automjetet janë të ndërtuara që të ndriçojnë 100 metra përpara. Makinat lëvizin gjithandej dhe kudo ka ndriçim. Tre janë faktorët kryesorë të aksidenteteve, gjendja e drejtuesit të mjetit, gjendja e makinës dhe gjendja e rrugës.

Që një makinë të ndahet në 2 pjesë tregon që forca goditëse ka qenë e madhe. Nga ana tjetër është makinë 40-vjecare. Këto Benz vijnë nga Gjermania, ku janë hequr nga qarkullimi sepse janë të kalbur. Kur futet në përplasje, bëhet si sanduiç dhe vret të gjithë njerëzit që janë brenda. Edhe makina me targa angleze është përplasur por nuk ka pësuar dëmtime të rënda se është e re”, tha Hoxha.

Eksperti rrugor theksoi se polici nuk duhet të shihet si shpëtimtar për shoferët që frikësohen dhe ulin shpejtësinë sa herë shohin forca policore në rrugë, por të kenë kulturën e të ecurit në krahun e djathtë. Sipas tij kjo është mënyra për të shmangur aksidentet.

“Nuk duhet ta shohim policin si shpëtimtar të aksidenteve por te njeriu që duhet të kuptojë se kur drejton një mjet ka përgjegjësi të madhe se ka jetën e të tjerëve në dorë. Ne nuk kemi 2 milionë policë. Njerëzit duhet të ndërgjegjësohen që makina nuk është lodër fëmijësh”, tha Hoxha.

Nga ana tjetër shprehet se përplasjet shkaktohen më së shumti nga shoferët e pakujdesshëm që guxojnë të dalin në rrugë edhe kur konsumojnë alkool.

“Problemi është që drejtuesit e rinj të makinave deri në 4-5 vitet e para janë të kujdesshëm. Më pas ndjejnë krenari e po të pinë ndonjë gotë raki bëjnë si trima e përfundojnë në aksidente. Njerëzit duhet të edukohen. Shoferët e pakujdesshëm shkaktojnë aksidente dhe marrin në qafë të tjerët”, tha Hoxha.

Nga përplasja e mjetit Benz 240 me një makinë me targa angleze në vendin e quajtur Fushë-Gjoricë, humbën jetën 2 vëllezërit Kujtim dhe Murat Istrefi, përkatësisht 57 dhe 76 vjeç, si dhe bashkëshortja e njërit prej viktimave (Kujtimit) Lulzime Istrefi, 46 vjeçe, nga Maqellara. Në momentin që kanë dalë në rrugën nacionale i kanë prerë rrugën mjetit tip MercedesBenz me targa angleze. Si pasojë e shpejtësisë përplasja ka qenë shumë e fuqishme dhe mjeti ku udhëtonin viktimat është ndarë në 2 pjesë.