I shtruar në spital për një operacion të programuar, aktori 81 vjeçar është “shumë mirë”, deklaron e bija.

Për më shumë se 24 orë, lajmi se Delon është shtruar në spital ka pushtuar kronikën e aktualitetit jo vetëm në median franceze. Familja Delon dha të enjten një deklaratë për median mbi gjendjen shëndetësore të aktorit 81 vjeçar. “Ishte një operacion i planifikuar: çprej dy-tre vitesh im atë ka patur problem qarkullimi në këmbë dhe i duhej të bënte një ndërhyrje me një urë. […] Mos i varrosni njerëzit para kohe! Im atë nuk ka asgjë të rëndë!”, ka deklaruar të enjten Anushka Delon, e bija e aktorit, për gazetën Le Parisien, përpara se të shprehej vetë aktori disa orë më vonë: “Jam i kënaqur që ime bijë e sqaroi të vërtetën. Jam shumë mirë”, ka deklaruar Alain Delon për Le Parisien në një bisedë telefonike.

Shkak i sëmundjes, sipas shumë mediave ishte vdekja e Mireille Darc, me të cilën ai kishte bashkëjetuar për shumë vite. “Sigurisht që ai u prek shumë nga vdekja e Mireille Darc, por shtrimi i tij në spital nuk ka asnjë lidhje me këtë”, këmbëngul e bija e aktorit. Pak kohë pas vdekjes së aktores, ai qe shprehur për Paris Match: “I them vetes që ajo nuk po vuan më. Ishte një kalvar, kjo vuajtje. Ata që vuajnë janë ata që rrojnë. Kjo më bën të ndjehem shumë keq! Ajo meritonte kaq shumë të jetonte…” Aktori kish deklaruar madje: “Pa të, edhe unë mund të largohem .”

Veritas.com.al/