Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) ka ndaluar spotin e Partisë Demokratike për protestën e 18 shkurtit, me argumentin se është në kundërshtim me ligjin. Përmes një njoftimi për mediat, AMA sqaron se ky spot është një reklamë politike e cila bie ndesh me ligjin. Sipas saj të tilla spote lejohen vetëm në kohë fushatash elektorale. Ja edhe njoftimi i plotë i AMA-s:

“Autoriteti i Mediave Audiovizive, në procesin e monitorimit të përmbajtjeve të transmetuara nga subjektet audiovizive ka evidentuar se në datën 15 shkurt 2017 është emetuar një reklamë politike.

Reklama është përgatitur nga Partia Demokratike e Shqipërisë mbi një aktivitet politik që ajo zhvillon në datën 18 shkurt 2017 në kryeqytet.   AMA kujton të gjithë subjektet audiovizive se bazuar në ligjin nr. 97/2013 “Mbi mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, nuk lejohet të emetohen reklama politike.

Referuar përcaktimeve të nenit 39 dhe nenit 41, pika 2, transmetimet e këtyre reklamave janë të ndaluara. Përmbajtje të tilla lejohen vetëm në periudhën e zhvillimit të fushatave elektorale, bazuar në Kodin Zgjedhor të Republikës”, thuhet në reagimin e AMA-s. Autoriteti i Mediave Audiovizive i bë thirrje edhe mediave që të refuzojnë reklamat politike, në një kohë kur ende nuk ka nisur fushata elektorale.

“AMA tërheq vëmendjen për subjektet audiovizive që të respektojnë kërkesat e ligjit 97/2013, për reklamat dhe komunikimet tregtare gjatë transmetimit të programeve për audiencën”