Pak e tepruar duket fraza që shkruan sot Ambasada e SHBA në Tiranë ku përshëndet heqjen e mandateve të dy deputetëve të Kuvendit dhe kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Roshi, si një “fitore për popullin shqiptar”.

Sidoqoftë duhet mirëpritur deklarata e Ambasadës.

Por të quash “fitore të popullit” largimin nga postet të dy tre njerëzve të përzierë në krim, duket pas si pesimiste. Domethënë populli shqiptar paska për të luftuar tërë jetën që të heqë tre të inkriminuar në katër vjet! Po fitoret e vërteta në prosperitetin e jetës, vallë kur do t’i arrijë populli shqiptar?!

Vetë ambasada e Tiranës si përfaqësuese e superfuqisë botërore u përpoq tre vjet për të larguar Elvis Roshin nga Bashkia e Kavajës dhe nuk ia doli. Qeveria e mbrojti përballë çdo kërkese të aleatëve dhe hapësirave për demokraci kundër krimit në vend.

Por tani që u hoq edhe mandati i tij, Ambasada merr frymë lirshëm dhe thotë se “mirëpret vendimin e KQZ…”. “Vendimi i sotëm është një fitore për popullin shqiptar”, tha Ambasada.

Më poshtë ajo shton se “Personat me dosje penale nuk mund të kenë vend në përfaqësimin e shqiptarëve”.

/Veritas.com.al/