Dje, të dy ambasadorët më të rëndësishëm dhe më të angazhuar për Reformën në Drejtësi, shkelën në zyrën e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta.
Jo veç pse në zyrat e larta të shtetit nuk ka mbetur asnjë zyrtar, pasi ndodhen në Francë për Euro 2016, por sepse, me sa duket, kërkohet garancia e LSI dhe Metës për të votuar draftin.
Donald Lu e Romana Vlahutin u paraqitën rreth mesditës në zyrën e tij, për të diskutuar sërish për reformën në drejtësi. Takimi vjen dy ditë pasi ambasada e SHBA u kërkoi deputetëve që të votonin individualisht për reformën dhe bëri përgjegjëse opozitën se nuk tregoi fleksibilitet, ndërkohë që qeveria e kishte treguar.
Edhe BE u ka bërë thirrje për votim individual deputetëve.
SHBA mbështeti edhe nismën e qeverisë për ta çuar draftin në kuvend dhe tha do të sigurohej që ai të ishte një draft i drejtë që përfaqëson idetë më të mirë të ekspertëve vendas e të huaj dhe të Komisionit të Venecias.
Pas këtyre zhvillimeve maxhoranca po bën llogaritë me votat, pasi ajo nuk i arrin e vetme 94 votat që i duhen për të kaluar ndryshimet kushtetuese.
Kryeministri Rama deklaroi një ditë më parë se ai do ta gjendje “ndonjë vëlla” nga opozita për ta votuar reformën. Opozita e ka bërë të qartë se çdo votë e trafikuar nga radhët e saj do ta nxjerrë atë jashtë parlamentit dhe do të djegë mandatet. /Veritas &Sipas Lapsi.al