Ambasadori i sapoemëruar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në ceremoninë e 23-vjetorit të Masakrës së Reçakut, ka potencuar se “mohimi dhe glorifikimi i krimeve të luftës ç’nderon kujtimin e të vrarëve dhe e kthen rajonin prapa në përpjekjet drejt konsolidimit demokratik dhe integrimit të plotë euroatlantik”.

Sipas tij paqja dhe drejtësia në rajon do të vije atëherë kur do të pranohen krimet e së kaluarës.

“Pranimi i së vërtetës është vetëm hapi i parë i drejtësisë”, ka thënë Hovenier.

Ambasadori amerikan, duke e cituar ish-Presidentin e SHBA-ve Bill Clinton, ka theksuar se Masakra e Reçakut ka qenë akt vrasës i qëllimshëm.

“Jemi të vetëdijshëm për përpjekjet për të rishkruar historinë e dokumentuar mirë të masakrës së Reçakut dhe për të minimizuar apo keqinterpretuar faktet rreth këtyre mizorive, dëshiroj të jem i qartë siç ka thënë presidenti Clinton atëherë dhe e vërtetojmë sërish tani ky ishte një akt vrasës i qëllimshëm dhe pa dallim, që synonte të mbillte frikë te populli i Kosovës”, ka shtuar ai.

Për ambasadorin amerikan Masakra e Reçakut nuk duhet harruar e as mohuar.

“Kjo ishte arsyeja se pse SHBA dhe aleatët u ngritën në mbrojtje të popullit të Kosovës, të civilëve të pambrojtur dhe në emër të paqes, lirisë dhe stabilitetit. Besojmë se të gjithë popujt meritojnë të jetojnë në liri dhe të sigurt”.