Hidhet në Presidencë shorti për anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Anëtarët e KED nga Gjykata Kushtetuese: Fiona Papajorgji, Marjana Semini, Gent Ibrahimi anëtar zëvendësues nga Kushtetuesja
Anëtarët e KED nga Gjykata e Lartë: Ilir Panda, kryetar dhe anëtar, Valbon Çekrezi, anëtar zëvendësues në KED nga Gjykata e Lartë.
Anëtar i KED, nga Prokuroria e Përgjithshme: Alfred Progonati. Anila Leka, anëtar zëvendësues
Anëtarë të KED nga Gjykatat e Apelit: Ornela Naqellari, Ilirjana Olldashi. Selvie Gjoçaj, anëtar zëvendësues
Anëtarë të KED nga Prokuroria e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm: Altin Binaj, Afërdita Ndoji. Arben Qosja, anëtar zëvendësues
Anëtarë të KED nga Gjykatat Administrative: Klodiana Veizi. Bezart Kackini, anëtar zëvendësue
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është organ i ri kushtetues, kolegjial, i cili është krijuar me hyrjen në fuqi të ndryshimeve në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të ndodhura me miratimin në vitin 2016 të paketës legjislative të reformës në drejtësi. Organizimi, funksionimi dhe kompetencat e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi parashikohet në nenin 149/d të Kushtetutës dhe në mënyrë më të hollësishme në ligjin nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përbëhet nga 9 anëtarë të përzgjedhur me short, nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndaj të cilëve nuk është dhënë masë disiplinore. Presidenti i Republikës përzgjedh me short, midis datave 1 dhe 5 dhjetor të çdo viti kalendarik, dy gjyqtarë nga Gjykata Kushtetuese, një gjyqtar nga Gjykata e Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë dhe dy prokurorë nga gjykatat e apelit, si dhe një gjyqtar nga gjykatat administrative. Nëse Presidenti i Republikës nuk arrin të zgjedhë anëtarët deri në datën 5 dhjetor, Kryetari i Kuvendit i zgjedh ata me short brenda datës 10 dhjetor të atij viti kalendarik.
Gjithashtu, zgjidhen me short si anëtarë zëvendësues për nivelin përkatës, një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, një gjyqtar i Gjykatës së Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, një gjyqtar nga gjykatat e apeleve, një prokuror nga prokuroritë pranë gjykatave të apelit dhe një gjyqtar nga gjykatat administrative. Anëtarët e zgjedhur të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi e ushtrojnë detyrën më kohë të pjesshme, pa u shkëputur nga funksionet e tyre të zakonshme, për një mandat njëvjeçar, që fillon në datën një janar të çdo viti kalendarik./
Komente