Tani që Ilir Meta iu përgjigj pozitivisht sfidës për zgjedhje të parakohshme, në Partinë Socaliste po dëgjohen zërat kundër largimit të LSI nga koalicioni. Arben Ahmetaj, Ministër i Financave deklaroi sot se “Qeveria duhet të vazhdojë punën e vet, pavarësisht reformës në drejtësi”.
“Me të gjithë ingridientët politikë, me zhvillimet politike nuk shoh asnjë lloj nevojshmërie, le më domosdoshmërie për një qeveri teknike. Besoj forcat politike në parlament janë të maturuara, mazhoranca është e maturuar. Reforma në drejtësi nuk ka asnjë arsye të krijojë kazualitet qeverinë, asnjë arsye. Qeveria vazhdon punën e vet, reforma i përket qytetarëve për një sistem drejtësie shumë më të mirë se ai që kemi”, u shpreh Ministri i Financave.
Një ditë më parë, kreu i LSI foli për dorëheqjen nga posti i Kryetarit të Kuvendit, për tërheqjen e ministrave nga qeveria dhe për një qeveri ekspertësh që do ta çonte vendin në zgjedhje. Reagimi i Arben Ahmetajt është i pari që vjen nga ministrat e PS.