Rroshi kërkoi lirimin e tij, por gjykata e rrëzoi kërkesën e tij.
Kryebashkiaku i Kavajës u akuzua për falsfikimin e formularit të dekriminalizimit, fshehje të veprave penale në të kaluarën e tij. Prokuroria, në akuzën e saj, ditën e arrestimit, njoftoi se Rroshi nuk ka paraqitur në formularin “Për Dekriminalizimin” të dhëna penale dhe personale, të cilat janë të detyrueshme për t’u shënuar.
Prokuroria e Tiranës nisi hetimin kryesisht, në bazë të informacionit të përcjellë nga ana e Sektorit për Verifikimin e Integritetit të Personave në Funksione Publike në Prokurorinë e Përgjithshme. Kjo strukturë kërkoi fillimisht verifikimin paraprak të formularit të subjektit Elvis Rroshi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Më pas, ky sektor vijoi verifikimin sipas përcaktimeve të ligjit nr. 138/2015 2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.
Në bazë të të dhënave të përftuara nga ky verifikim i thelluar, sektori përkatës në Prokurorinë e Përgjithshme përcolli informacionin në Prokurorinë e Tiranës, e cila regjistroi procedimin penal.
Nga hetimet e deritanishme të Prokurorisë së Tiranës rezulton se Elvis Rroshi nuk ka deklaruar dënimin e dhënë nga autoritetet italiane të drejtësisë për veprën penale të përdhunimit të kryer në vitit 1995 në Campobasso, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 1 të formularit të vetëdeklarimit.
Po ashtu, ai nuk ka deklaruar se është dëbuar nga shteti italian dhe ai zvicerian respektivisht në vitin 1995 dhe 1993, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 7 të formularit të vetëdeklarimit.
Gjithashtu subjekti Elvis Rroshi nuk ka deklaruar se është arrestuar në gusht të vitit 1997 në Zvicër me urdhër të Gjykatës së Shtetit të Zyrihut dhe është dëbuar sërish, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikat 5 dhe 7 të formularit të vetëdeklarimit.
Ndërkohë, nga të dhënat e deritanishme, janë siguruar informacione se shtetasi Elvis Rroshi ka përdorur 5 emra të ndryshëm në disa vende të Europës.
Në bazë të këtyre të dhënave, Prokuroria e Tiranës kërkoi caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” për shtetasin Elvis Rroshi, me funksion Kryetar i Bashkisë Kavajë, i dyshuar për veprën penale të “Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve”, parashikuar nga neni 190/1 i Kodit Penal.