Tre persona kanë rënë në prangat e Policisë së Tiranës pasi tentuan të merrnin kredi me dokumentacion të falsifikuar. Të arrestuarit janë, Paulin Aliaj, 25 – vjeç, Elisabeta Imerraliaj, 25 – vjeç dhe Edison Nuzi, 26 – vjeç, të tre banues në Tiranë.
Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se këta persona, në bashkëpunim me njëri – tjerin kanë tentuar të marrin kredi me dokumenta të falsifikuar në një bankë të nivelit të dytë.
Sipas policisë, më anë të kësaj skeme mashtrimi, ata kanë arritur të marrim 5 kredi dhe dyshohet se kanë përfituar një shumë prej 60 milionë lekësh të vjetra.
Në këtë skemë mashtrimi dyshohet se janë të përfshirë edhe punonjës të tjerë të bankave të nivelit të dytë.
Të arrestuarit akuzohen për veprat penale “mashtrim”, “mashtrim në kredi” dhe “falsifikim dokumentacioni”.