Një 47-vjeçar, emër i njohur për opinionin publik në zonë është ekzekutuar paraditen e sotme në Rrëshen. Ky është Kastriot Reçi, ish-pronari i televizionit lokal “Media Plus”.

Kastriot Reçi, 47 vjeç u qëllua sapo doli nga lokali i tij në Rrëshen.

Pse akt i paralajmëruar. Flet dëshmitari:

Një banor i Rrëshenit, që është bërë sot dëshmitar i ngjarjes së rëndë. Ai ka treguar detaje rreth krimit. Në një prononcim për gazetarin e ‘Neës24’ dhe ‘BalkanWeb’ Elidon Ndreka, qytetari tha se 47-vjeçari ndërroi jetë në vend.

Ai tha se ishte vetëm 5 metra larg viktimës, ndërsa shtoi se konfliktet e Reçit i di gjithë Rrësheni.

“I dimë konfliktet. Jam ndodhur 5 metra larg tij. Ishim 3-4 veta që po kalonim rastësisht. Ai ndërroi jetë direkt, gjynah. Moshë e re. Njihet me precedentë. I dimë konfliktet.”, tha dëshmitari i ngjarjes.

Prishje pazaresh apo hakmarrje për vrasje të tjera?

Ekzekutimi i 47-vjeçarit Kastriot Reçi sot në Rrëshen, është viktima e fundit e një serie vrasjes. Më 2017 Reçit iu vra vëllai, ndërsa dyshohet se si motiv të ngjarjeve janë prishja e pazareve të drogës mes dy bandave.

Lufta mes dy bandave nisi me vrasjen e ish-drejtorit për OSHEE për Veriun, Saimir Jaku, që pasoi me disa ngjarje të tjera kriminale.

Vrasje që kanë ndodhur në Shqipëri, Itali dhe Belgjikë kryqëzohen nga një konflikt mes dy familjeve me influencë në qytetin e Rrëshenit.

Ja vrasjet që e shoqërojnë:

Rrëshen – 9 shtator 2016 (Sajmir Jaku)

Dy persona të armatosur kanë qëlluar për vdekje drejtuesin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Saimir Jakun. Jaku është qëlluar me kallashnikov, teksa ka qenë duke pirë kafe në një nga lokalet e zonës më të frekuentuar të qytetit të Rrëshenit bashkë me një shok të tij. Autorët braktisën automjetin tip “Benz-Mercedes” në fshatin Gallatë të Kurbinit ku e kanë djegur dhe më pas u larguan.

Itali- 28 Prill 2017 (Gasper Reçi)

Itali- Një shqiptar është ekzekutuar më 4 plumba në Romë. Gasper Reci, 43 vjeç nga Rrësheni është ekzekutuar mbrëmjen e së enjtes rreth orës 23: 30 në banesën e tij në Via Simeri Crichi, në Tor Vergata. Nga hetimet në atë kohë nuk u arrit të identifikohej asnjë person si i dyshuar për atentatin, pasi në momentin që është vrarë shqiptari nuk ka pasur asnjë person në vendngjarje. Në momentin që është qëlluar në banesën e Reçit ka qenë vetëm vajza e tij. Edhe pse ambulanca ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, Gasper Reçi nuk ka mund të shpëtojë. Hetuesit italianë bënë të ditur se Gasper Reci kishte disa precedent penal në të kaluarën për posedim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike.

 

Belgjikë 06 Shtator 2017 (Kreshnik Gjini)

Kreshnik Gjini 31 vjeç u ekzekutua në mesnatë në komunën Forest të Belgjikës. Ai u qëllua me dy plumba nga dy persona të maskuar dhe të panjohur. E gjithë ngjarja ndodhi para syve të koleges së tij të punës, Liliane. Kreshnik Gjini punonte kamerier në një lokal në Saint-Denis.

Dyshimet e afërta:

Dyshohet se vrasja e Gaspër Reçit të jetë bërë si hakmarrje për vrasjen e Saimir Jakut. Ndërkohë vrasja e Kreshnik Gjinit të jetë bërë në hakmarrje të vrasjes së Gaspër Reçit. Në secilën ngjarje morën pjesë dy autorë, por për asnjërën prej vrasjeve nuk është ndaluar apo arrestuar njeri.

Dyshohet se vrasja është bërë për hakmarrje dhe se ka lidhje me veprimtarinë kriminale të 47-vjeçarit dhe vëllait të tij Gaspër Reçi, i vrarë në prill të 2017 në Itali.

Atentat profesionistësh:

Biznesmeni Kastriot Reçi, ish-pronari i televizionit lokal në Lezhë ‘Media+’,  dyshohet se është ekzekutuar me snajper. Raportimet venë në dukje se nga këqyrja paraprake e viktimës është konstatuar se është qëlluar vetëm me një plumb.

Për shkak të precizionit të vrasjes, grupi hetimor dyshon se ekzekutimi është bërë nga vrasës profesionistë dhe se autori i ka ditur mirë lëvizjet e viktimës.

Veritas.com.al/