Nga Agim Xhafka/
Tashmë artistin Avni Delvina e njohin shumë të huaj e shumë shqiptarë. Nga pikturat e tij dhe nga kompozimet e shumta për probleme akute të vendit. Ky pejsazhist i rrallë,që shok ka veten e që nga larg dallohet si gjeni,njëkohësisht shfaqet dhe si kronist ngjarjesh kulmore. Ku nëpërmjet tablove impresionuese shfaq ide të mëdha,nxjerr problematikat e ditës dhe stigmatizon,si ai,politikanë e qeveritarë injorantë,hajdutë e vrasës.
Avni Delvina është Francesko Goja i Shqipërisë. U kujtohet skica gjeniale e tij me dy njerëz që mbajnë në kurriz dy gomarë. Me shënimin:”Mbaji se mirë i ke!”
Në këtë stil e me kaq përshtypje na shfaqet Francesko Delvina kur kompozon deputetet tanë në ajrim, jo në oborr të burgut,por para parlamentit. Një e vërtetë drithëruese. Që shtetin na e kanë rrëmbyer bandat. Apo salla e ligjvënësve mbushur me hashash dhe populli dele duke kullotur atje.
Piktori Delvina ka 27 vjet që është larguar nga Atdheu. Bir i një familjeje të madhe,me emër për kontribute ndaj vendit,i goditur nga komunistët egër e pa mëshirë,gjendet herë pas here në Atdhe dhe përpiqet t’i mjekojë plagët. I dhemb ikja e brezit të ri ndaj ka realizuar me emocion kompozimin e Statujë së Lirisë që po e pushtojnë shqiptaret.
Krijimtaria e këtij kolosi flet qartë,saktë dhe godet ashpër në shenjë. Se Delvina krahas artist është qytetar që nuk përbuz misionin e opozitarit. Ai është palca e shoqërisë civile,është revolta dhe pakënaqësia e njerëzve që dhimbje kanë dashurinë.
Nuk e teproj që e krahasoj me Gojën. Ngjasin në talent dhe në shqetësim. I bashkon dhimbja për tokën,për ajrin,për lindjen dhe vdekjen. Ka një veç një brengë,të mos u lëndohet mëmëdheu…Nderohem si shqiptar prej teje,jam krenar me ty, sir Delvina!