Avokati Arbër Hoxha ka sqaruar në Report Tv se ndonëse Shqipëria nuk ka një marrëveshje me Marokun për ekstradim, kjo jo nuk është një pengesë për të sjellë autorin e vrasjes së Ardian Nikulajt, Ruben Saraiva në vendin tonë. Kjo sepse, Ruben Saraiva është një shtetas portugez i arrestuar në Marok dhe mbi bazën e marrëveshjes me INTERPOL, ai mund të sillet në Shqipëri për të vuajtur dënimin. Nëse Ruben Saraiva do ishte maroken, atëherë ekstradimi i tij drejt Shqipërisë, do ishte i pamundur.

“Nuk kemi një marrëveshje ekstradimi. Edhe pse nuk kemi, nuk përbën asnjë pengesë ligjore, për ta ekstraduar këtë shtetas sepse është protugez. Ajo që do ishte shkak negative, do ishte nëse ky shtetas i përket marokut. Duke qenë se është portuges nuk ka asnjë pengesë për t’u ekstraduar. Ai është shpallur në kërkim për vrasje, në këto kushte Maroku është i detyruar që nëse drejtoria me marrëdhënien me jashtë nëpërmjet ministrisë së Drejtësisë, do i çoje të gjitha provat, Maroku mbi bazën e marrëveshjes me Interpol, është i detyruar, nëse Gjykata e vendos gjithmonë. Nëse do ishte Maroken, nuk do ekstradohej, çdo shtetas tjetër, i ndryshëm nga shtetas të atij vendi, mund të bëhet ekstradimi. Këto parimet e reciprocitetit janë vetëm për pengjet e luftës”, tha Hoxha në Report Tv.

I ftuar në emisionin “Sot Live në Shqipëri” me gazetarin Nertil Agalliu, Hoxha tha se ka dy kërkesa për ekstradim, nga Britania e Madhe që e kërkon për trafik droge dhe në Shqipëri për vrasje. Në këto kushte, ai shpjegon se kërkesa e Shqipërisë prevalon pasi kemi të bëjmë me një vepër penale më të rëndë.

“Ka dy kërkesa për ekstradim se është i dënuar edhe në Britani, konkurrojnë dy kërkesa për ekstradim, nga Shqipëria dhe Britania. Do jetë gjykata e Rabat se ku do të ekstradohet fillimisht, por Britania e Madhe ka një avantazh se vendimi penal atje ka marrë një vendim të formës së prerë ndërkohë që këtu është një masë arresti. Por Shqipëria ka avantazh se këtu po kërkohet për vrasje”, tha avokati Arbër Hoxha.

Aktualisht, në Britani të Madhe janë të arrestuar, Edmond Haxhia, porositësi dhe organizatori i atentatit mafioz, si edhe 3 bashkëpunëtorët anglezë që kanë luajtur rolin e vëzhguesit, Thomas Mithan, Steven Hunt, 35 dhe 49 vjeç si dhe Harriet Bridgeman, 28 vjeçe. Për ta ka nisur procedura e ekstradimit për në Shqipëri, ndërsa një gjykatë në Londër ka ndryshuar masën nga arrest në burg në arrest shtëpie vetëm për Bridgeman.