Bajram Begaj ka marrë në dorë çelësat e Presidencës. Pas betimit që bëri në seancën plenare, Begaj ju drejtua Presidencës, në të cilën u mbajt një ceremoni speciale.
Presidenti në largim Ilir Meta i dorëzoi atij institucionin, ndërsa tashmë Begaj është zyrtarisht kreu i ri i shtetit.
Në orën 19.15 Begaj mbërriti në Presidencë ku u prit fillimisht në një takim nga Ilir Meta. Më pas ata ju bashkuan ceremonisë.
Më pas Vitore Tusha, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese i dorëzoi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Në vijim presidenti mbajti dhe një fjalë rasti. Ai tha se sot më shumë se kurrë kërkohet unitet dhe bashkëpunim i të gjitha klasave politike në vendin tonë.
“Kjo është dita më e rëndësishme e jetës sime. Ky besim më ngarkon me përgjegjësinë më të madhe ndaj historisë së vendit tonë. Do të jem kontribues dhe përkrahës i komunikimit dhe bashkëpunimit të nismave dhe ideve që çojnë përpara shoqërinë tonë.
Dialogu dhe bashkëpunimi, dëgjimi i zërit dhe medias së lirë, respektimi dhe pranimi i debatit mundëson që forca e tij të shpërblehet me mirëqenie për qytetarët. E ardhmja e vendit është përgjegjësi e të gjithëve. Sot më shumë se kurrë kërkohet unitet dhe bashkëpunimi i klasave politike. Do inkurajoj çdo veprim për marrëdhënie të shëndosha mes institucioneve.
Të vijojmë në rrugën e reformës në drejtësi. Jo thjesht sepse ky është kusht për anëtarësimin në BE por edhe sepse ndërtimi i një gjyqësori të pavarur garanton luftë pa kompromis ndaj korrupsionit. Reforma në Drejtësi me ndihmën e SHBA dhe BE po jep frytet e saj. Shpreh mirënjohjen ndaj tyre për ndihmën e pakursyer. Te Shqipëria dhe shqiptarët miqtë tanë do gjejnë partnerin e besuar”, tha Begaj.
Më pas Ilir Meta u largua duke i lënë vendin Begajt, i cili pasi nderoi ushtarët e gardës u fut në ambientet e Presidencës.
Në ceremoni morën pjesë ambasadorë, personalitete, politikanë, ish-presidentë e ish-deputetë. Ra në sy se ishin ish-presidentët dhe nuk ishte ish-presidenti Sali Berisha. Ndërkohë morën pjesë kryeministri, ministrat dhe shumica e deputetëve të opozitës. Tani nis një epokë e re në Presidencë.