Nga Etleva Delia 

Vrasës lind apo bëhesh? Për t’i dhënë përgjigje kësaj dileme janë bërë studime të shumta. Megjithatë askush s’e ka bërë dot një ndarje përfundimtare.

Studiues të ndryshëm arrinin në konkluzionin se tiparet e një vrasësi janë edhe të lindura, por edhe të bëra me kalimin e kohës. E për këtë ndikojnë disa faktorë. Diçka ka ndikuar edhe tek Laert Haxhiu. Ai ishte vetëm 5 vjeç kur në Lushnjë nisë të ndodhin vrasje e masakra. Në shtëpinë e tij flitej vazhdimisht për krime, për të vrarë.

Ishte data 2 korrik e vitit të mbrapshtë 1997. Në këtë ditë ndodhi edhe përplasja e madhe mes Aldo Bares dhe Artur Dajës. Pasojat e kësaj përplasje vijojnë edhe sot. Aldo Bare në atë kohë krijoi “Bandën e Lushnjës”, që të hakmerrej për vrasjen e të vëllait, Ramadan Shkurti. Bashkë me anëtarët e bandës, vrau Artur Dajën dhe këdo që pati lidhje me të. E mes tyre ishte edhe nipi i familjes Haxhiu, kushëriri i Laertit.

Banda e Lushnjës akuzohet për vrasjen e Bledar Haxhiut e Artan Sulçes në 23 nëntor 1998. Ndërsa më 15 maj 1999, rreth orës 21.20 në lagjen “Skënder Libohova” në hyrje të pallatit vranë edhe nënkryetarin e Bashkisë së qytetit, Drago Voshtina, i cili kishte pasur lidhje miqësore me Dajën dhe ishte kunati i Bledar Haxhiut.

Laert Haxhiu kaloi një fëmijëri të tillë, duke u rritur me frymën e hakmarrjes. E të tillë e pati fëmijërinë edhe miku i tij, bashkëpunëtor në disa krime, Orges Bilbili. Edhe atij, “Banda e Lushnjës” i vrau xhaxhain, Luan Bilbilin.

Ai u vra më 18 gusht të vitit 1998, tek vendi i quajtur “Kodra e Ullinjve” në afërsi të fabrikës së tullës, sepse ishte shoku i ngushtë i Artur Dajës.

Vrasjen e kushëririt të Laert Haxhiut, një prej të penduarve e kishte rrëfyer me detaje në sallën e gjyqit.

Petrit Liçi (i penduar)Edjan Xhafa donte të vriste Bledar Haxhiun, por ishte i plagosur dhe nuk e bënte dot vetë. Na tha se do të na jepte lekë po ta vrisnim. Pranuam të bënim vrasjen. E pritëm disa herë në kryqëzim. Por një ditë, Edjani erdhi edhe vetë. Na dha një çantë me katër automatikë. Në datën 23 tetor, rreth orës 8 ose 9 të mëngjesit, u nisëm me makinë, unë, Erjon Kashari dhe Elton Mermali. Pas nesh erdhi dhe Edjani me Dritan Vilën. Pritëm në një kryqëzim. Po vinte Bledar Haxhiu me makinë së bashku me Artan Sulçen. Ne sa e pamë nxorëm automatikët dhe qëlluam. Pasi u siguruam se e vramë, u nisëm. Ktheva kokën dhe pashë që Edjani së bashku me Dritan Vilën kishin shkuar te makina dhe po qëllonin me pistoleta mbi trupat e vrarë të tyre. Më pas u larguam në shtëpinë e Edjanit.

Megjithatë krimet nuk i justifikon asgjë. As e shkuara. Edhe pse ndikon për të qenë këta që jemi. Traumat e ’97-ës të gjithë i kanë përjetuar, kush më shumë e kush më pak. Por jo të gjithë u bënë kriminelë.

Me mendjen për t’u hakmarrë ndaj krimeve që kishte nisur t’i njohë që prej moshës 5-vjeçare, Laert Haxhiu nisi të krijojë bandën e re të Lushnjës. Një grup që u bë edhe më i rrezikshëm se ai i ’97-ës. Vrasje, atentate me eksploziv, kërcënime e grabitje. Laert Haxhiu sot është vetëm 31 vjeç. Megjithatë ka një cv mjaft të pasur kriminale. Akuzohet, është dënuar e është në gjykim për dhjetëra krime të rënda, duke filluar nga vrasja, droga e grabitjet. Ndërsa së fundmi dolën në skenë edhe krime të tjera të kryera me porosi e të organizuara prej tij.

Këto i rrëfeu i penduar Artan Tafani, 39-vjeçari që u arrestua në një hotel në Lushnjë, mbrëmjen e 23 shtatorit dhe u kthye në të penduar, duke treguar vrasje e tentativa vrasjesh. Të gjitha të organizuara nga Laert Haxhiu, i cili që prej muajit maj ndodhet i arrestuar në Greqi me qëllim ekstradimi. Ekstradim që në fakt është refuzuar nga autoritetet greke dhe vazhdon të mbahet peng atje.

Historinë e krimeve të Laert Haxhiut do e rrëfejmë në dy pjesë. Atë para rrëfimit të të penduarit Artan Tafani, që janë vrasje, atentate të realizuara e të dështuara, për të cilat ai është dënuar e për disa të tjera është ende në gjykim. Dhe historinë pas rrëfimit të të penduarit. Krime që sipas Artan Tafanit janë porositur e organizuar nga Laert Haxhiu.

KRIMET PARA RRËFIMIT TË TË PENDUARIT

8 Korrik 2010

Laert Haxhiu vret Gerti Lalën, ish-anëtar i Bandës së Lushnjës

Laert Haxhiu ishte 18 vjeç kur kreu vrasjen e parë të dokumentuar. Gerti Lala, 28 vjeç, një ish-anëtar i Bandës së Lushnjës, u ekzekutua në 2010-ën në hyrje të pallatit ku ai banonte. Lala u qëllua 7 herë me thikë në trup e më pas me tre plumba në kokë. Gerti Lala i njohur si “Iriqi”, u vra mbrëmjen e 8 korrikut të vitit 2010, teksa shkonte në shtëpi. Ai ishte ndjekur deri në momentin që ka hyrë në pallatin ku banonte. Që në fillim u dyshua se kishin qenë dy persona autorët e atentatit. Pas ngjarjes policia gjeti objekte të lëna nga autorët, si një karikator, një dorashkë dhe dy gëzhoja. Arma e përdorur kishte qenë me silenciator. 28-vjeçari Gerti Lala ishte vëllai i nënkryetares së Bashkisë së Lushnjës. Ishte nëna e viktimës që arriti të identifikonte vrasësit dhe ia drejtoi gishtin Laert Haxhiut. Ai u arrestua dhe u shpall fajtor për vrasjen. Megjithatë u lirua shumë shpejt, në vitin 2014.

Vetëm 8 muaj pasi kishte dalë nga burgu, Laert Haxhiu arrestohet sërish në vitin 2015. Kësaj here e ndaloi Policia e Durrësit për çështje droge. Duke tentuar t’i shpëtojë prangave, ai hidhet nga një lartësi prej afro 4 metrash dhe thyen këmbën. Në momentin e prangosjes, ai u tha policive se mendoi se po e ndiqnin njerëzit e Aldo Bares. Në atë kohë ai u dyshua se bënte trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike përmes linjës së autobusëve me Greqinë. Gjatë aksionit iu sekuestrua 1.2 kg heroinë.

Gjatë gjykimit në Gjykatën e Durrësit, doli qartë miqësia që Haxhiu ka pasur me Saimir Taullaun, i njohur për armiqësinë e tij me Aldo Baren, të cilin e ka akuzuar për vrasjen e të vëllait. Në deklarimet e dhëna në polici pas arrestimit te zona e njohur si “Plepat” në Durrës, Haxhiu tregonte se nuk kishte dijeni për drogën, por së bashku me mikun e tij të quajtur Saimir Taullau, ishin nisur për në plazh. Sipas Prokurorisë, së bashku me Taullaun dhe dy persona të tjerë, Laert Haxhiu kanë transportuar me qëllim trafikimin e lëndës narkotike të llojit heroinë, por në fund të gjykimit edhe pse u kërkua dënimi me 8 vite burg, gjykata e ka shpallur të fajshëm vetëm për veprën penale të “Mos kallëzimit të krimit” dhe e ka dënuar me 17 muaj e 10 ditë burg.

25 Shtator 2016

Tentativa për të vrarë Xhulio Shkurtin, nipin e Aldo Bares

Më 25 shtator të vitit 2016, në Lushjë është tentuar të vritet nipi i Aldo Bares, Xhulio Shkurti, në atë kohë 21 vjeç. Rreth orës 16:00, kur ai bishte në shoqërinë e mikut të tij Saimo Xheliu, është qëlluar nga një makinë tip “Smart” në ecje. Më vonë, rezultoi se personi që e kishte qëlluar ishte Laert Haxhiu. Të dy të rinj kanë mbetur të plagosur me armë zjarri, Xhulio Shkuri në këmbë, ndërsa miku i tij në bark. Nga deklarimet që ka dhënë në Polici nipi i Aldo Bares, ka deklaruar se në momentin e ngjarjes po ecte në këmbë bashkë me shokun e tij para një furre buke. Në atë kohë përballë tyre ka ndaluar një makinë e bardhë “Smart”, me targa italiane, që drejtohej nga Laert Haxhiu.

Xhulio Shkurti: Laert Haxhiu kishte në dorë një pistoletë dhe qëlloi drejt nesh derisa i mbaruan fishekët. Një nga plumbat më kapi mua në këmbë, ndërsa Saimon e goditi në bark. Para se të qëllonte me pistoletë Laerti mu drejtua mua dhe më tha: “Nuk e di ti që do të ikësh për dhajmë qeni? Do të vdesësh shumë shpejt. E ke jetën me minuta”. Më pas iu drejtua edhe Saimos duke i thënë: “Edhe ty do ta mbush kokën me plumba”. Pas këtij momenti filloi të qëllonte drejt nesh. Pasi i mbaruan fishekët vazhdoi rrugën në drejtim të gjimnazit “18 Tetori”. Pas ngjarjes Policia ka ushtruar kontrolle për gjetjen e Laert Haxhiut, por nuk është arriutur zbulimi i vendndodhjes së tij. Ndërsa është arrestuar personi që ndodhej në makinë me të, Lulzim Arapi. Ky i fundit ka qenë i ulur në sediljen e pasagjerit dhe sipas deklarimeve të Xhulio Shkurtit në dorë mbante një automatik tip “Sharrs” dhe në një moment u është drejtuar me fjalët “Ikni se do t’ju vrasim…” Lulzim Arapi është arrestuar për moskallëzim krimi. Ai ka pranuar se ndodhej në makinë me Laert Haxhiun, por ka mohuar të ketë pasur dijeni se ai kishte në plan të qëllonte Xhulio Shkurin. Për këtë ngjarje, Laert Haxhiu është dënuar me 18 vjet heqje lirie.

11 Tetor 2017

Atentat ndaj nipit të Aldo Bares, vriten dy miqtë e tij e dy plagosen

Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha mbetën të vrarë në 11 tetor të vitit 2017, në ngjarjen që jo më kot u quajt masakra e Lushnjës. Të plagosur mbetën edhe dy persona të tjerë, Marjus Xhepexhiu, pronari i lokalit ku ndodheshin atë çast dy viktimat, si dhe një kalimtar i rastit, 66-vjeçari Bujar Turku. Dy të rinjtë u ekzekutuan me breshëri automatiku në hyrje të lokalit. Autori zbriti nga një automjet dhe në duar mbante një armë automatike, ndërsa në kokë kishte një maskë të zezë. Ai eci gati 20 metra, duke iu afruar dy të rinjve që qëndronin në lokal dhe menjëherë hapi zjarr me automatik. Lëshoi dy breshëri kallashnikovi, duke lënë të vdekur në vend Jurgen Hoxhën dhe shokun e tij, Zamir Latifi. Më pas, u largua me shpejtësi në drejtim të daljes së Lushnjës, drejt zonës së ish-Fabrikës së Plastmasit.

Për këtë ngjarje u akuzuan e 3 persona, Laert Haxhiu, Orges Bilbili dhe Anterio Kaloshi. Orges Bilbilin dhe Anterio Kaloshi u dënuan nga Gjykata e Posaçme me burgim të përjetshëm. Ndërsa gjykimi për Laert Haxhiun është veçuar. Shënjestër e tyre sipas hetuesve ishte nipi i Aldo Bares, Xhulio Shkurti. Ai arriti t’u shpëtoi plumbave në lokal pasi u ngrit nga tavolina pak minuta më herët. Orges Bilbili u arrestua nga Policia e Tiranës më 10 prill të vitit të 2020 në zonën e Xhamllikut, në kohën kur vendi ishte i izoluar për shkak të pandemisë. Ai u pikas nga një efektiv policie, që i bëri thirrje për ta kontrolluar pse nuk kishte maskë por në momentin që ai vrapo për t’u larguar, e ndoqi duke e plagosur. Më pas Bilbili u vu në pranga. Ndërsa Anterio Kaloshi u arrestua pak muaj më vonë, në datën 13 gusht të vitit 2020, pasi bashkë me disa persona të tjerë kishin qëlluar me armë zjarri në drejtim të një hoteli në Volorekë, 5 ditë para operacionit të policisë që u finalizua në Qesarakë. Kaloshi i kishte shpëtuar policisë mesditën e 10 prillit ku në pranga u vu shoku i tij Orgest Bilbili. Ai jetonte në një apartament me Bilbilin, por arriti të largohet.

23 Maj 2023

Arrestohet në Janinë Laert Haxhiu, Greqia refuzon ekstradimin

Laert Haxhiu, i konsideruar nga Policia e Shtetit si një nga 5 më të kërkuarit në vend që prej vitit 2017, u arrestua nga Policia greke në Janinë, më 23 maj. I shumëkërkuari për masakrën në Lushnje të vitit 2017, tentoi t’i shpëtonte edhe policisë greke. Sapo ka kaluar kufirin nga një pikë e paruajtur, ai është pikasur nga efektivët, por ka shtuar shpejtësinë e makinës “BMW X6”, duke përplasur tri mjete e më pas është bllokuar pasi goditi edhe një bordurë. Si pasojë të tre personat që ishin në makinë janë bllokuar nga hapja e airbeg-ëve duke bërë që efektivët ta ndalojnë menjëherë. Vetëm pas shoqërimit në polici është mësuar identiteti i vërtetë i tij edhe pse në dokumente mbante emrin Mikis Askalidis, 32 vjeç. Bashkë me të është ndaluar edhe një 22-vjeçar shqiptar dhe shtetasti Juxhin Bajramin. Ky i fundit rezulton të jetë plagosur në 16 nëntor 2021 në një atentat në një karburant në Nikaia të Athinës ku u ekzekutua me armë zjarri kushëriri i parë i tij, Marius Diamanti, 37 vjeç. Në drejtim të mjetit ku u kap Laert Haxhiu, ishte Juxhin Bajrami. Ai kishte ardhur nga Athina për të marrë Haxhiun. Në momentin e ndalimit atyre iu sekuestruan edhe 1400 Euro.

Përmes avokatit të tij, Detar Hysi, Laert Haxhiu ka pretenduar përpara gjykatës së Janinës se transferimi i tij në Shqipëri, do i rrezikonte jetën, për shkak jo vetëm të përndjekjes në mënyrë të paligjshme nga shteti shqiptar, por edhe për shkak të hasmërisë që familja e tij, ka me anëtarët e bandës së Aldo Bares. Dhe për të bindur gjykatën se ai kishte të drejtë në pretendimet që ngriti, avokatët e Haxhiut vunë në dispozicion një vendim të autoriteteve Gjermane, të cilat kanë miratuar kërkesën për statusin e azilantit politik nënës së Laertit, Florije Haxhiut dhe motrës Klea Haxhiu. E duket se këto pretendime janë marrë parasysh nga Gjykata e Janinës që ka vendosur moslejimin e ekstradimit të tij.

KRIMET SIPAS RRËFIMIT TË TË PENDUARIT

Tre muaj më parë, më 24 qershor, në një pikë këmbimi valutor në Unazë të Re, ndodh një grabitje. Një person i armatosur, i maskuar me kapele dhe me maskë anti covid, futet në këtë pikë këmbimi e transfertash dhe nën kërcënimin e pistoletës, arrin të marrë rreth 30 mijë euro e të largohet me biçikletë.

Policia e identifikoi shumë shpejt autorin, i cili rezultoi të ishte Artan Tafani, i njohur edhe me emrin Marius. Ai u shpall në kërkim nga ana e Policisë së Tiranës ndërsa u vu në pranga 35-vjeçari Enio Meçaj, i cili i kishte vënë në dispozicion autorit një garazh automjetesh dhe me veprimet dhe mosveprimet e tij kishte penguar zbulimin e së vërtetës, duke pretenduar se nuk e njihte personin që kishte në posedim garazhin. Gjatë kontrollit të garazhit u gjetën biçikleta dhe veshjet e përdorura nga Artan Tafani në grabitjen e ndodhur, si dhe një automjet që rezultonte i vjedhur me datë 23 shkurt 2023, në Shijak. Në këtë mjet u gjetën prova biologjike që e e lidhën Tafanin edhe me një vrasje që ishte pa autor.

I konsideruar si person me rrezikshmëri të lartë, nisi një hetim intensiv për zbulimin e vendndodhjes së tij. Mbrëmjen e datës 23 shtator, forcat e Njësisë Operacionale të Tiranës që e kishin në ndjekje, përmes një aparature të posaçme që gjurmonte telefonin e tij, arrijnë ta zbulojnë në një hotel, pranë një karburanti në Lushnjë. Ai rrethohet dhe fillimisht bën rezistencë duke hipur në tarracën e hotelit, i armatosur me një pistoletë. Por më pas bindet dhe dorëzohet. Me vete i gjendet edhe një sasi metadoni, të cilën ai e merrte për shkak se ishte përdorues lëndësh narkotike. Gjatë kohës që mbahej i shoqëruar ai pranon të bashkëpunojë me drejtësinë dhe kthehet në të menduar.

Pas arrestimit të Artan Tafanit, u arrit të zbardhen 6 vrasje, 5 raste të shkatërrimit të pronës me eksploziv, 2 rasteve të vjedhjes me dhunë, 3 rasteve të sigurimit  të kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje, një rasti i kanosjes së punonjësve të Policisë, si dhe zbardhjen e 2 vrasjeve të kryera në Greqi. Prokuroria e Elbasanit lëshoi 15 urdhra ndalimi, nga të cilat 12 u ekzekutua, ndërsa 3 shtetas u shpallën në kërkim.

12 Dhjetor 2018

Ekzekutohet në sheshin OMONIA në Athinë, Lulzim Qorri

Lulzim Qorri, një 44-vjeçar shqiptar, lindur e banues në Grabian të Lushnjës, më herët me precedentë penalë dhe i arrestuar nga policia shqiptare për trafik droge, u vra më 12 dhjetor të vitit 2018. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:40 në një bar në rrugën “Kritis 23”, në sheshin OMONIA, në Athinë. Ai u qëllua me plumb në kokë, teksa ndodhej i ulur në një vend pranë vitrinës së lokalit. Autori e qëlloi nga jashtë dhe më pas u largua me një motor që drejtohej nga bashkëpunëtori i tij. Sipas deklarimeve të të penduarit, dyshohet se personi që e ka qëlluar është pikërisht Laert Haxhiu. Ai rezultonte pa precedentë penalë në Greqi, ndërsa në Shqipëri 44-vjeçari ishte arrestuar në korrik të vitit 2016 me urdhër arresti nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për “trafik lëndësh narkotike” si pjesë e një grupit kriminal.

1 Qershor 2021

Ekzekutohet në Tepelenë, biznesmeni i miellit Çajup Selimi

Çajup Selimi, i njohur në Tepeleni si biznesmen që merrej me tregtinë e miellit, u ekzekutua mbrëmjen e 1 qershorit. Ai u qëllua për vdekje nga një person i maskuar që e priste poshtë shtëpisë. Hyseni doli nga shtëpia pasi e thirri dikush dhe u qëllua dy herë sapo zbriti nga kati i dytë. Persona që dëshmuan fillimisht për policinë treguan se kanë qenë dy persona, njëri ishte ngjitur në godinë dhe tjetri e priste përjashta. Në vitin 2018, Çajup Selimi ishte sulmuar brutalisht me leva hekuri dhe ishte plagosur rëndë. Në atë kohë, Policia shoqëroi si autor të dyshuar 27-vjeçarin Erisiano Abedini, por më pas ai u la i lirë. I njëjti person, u arrestua gjatë operacionit “Never Forget”, i akuzuar si pjesë e grupit të Laert Haxhiut.  Drejtori i Policisë Muhamet Rrumbullaku, deklaroi se për ketë ngjarje, përveç Haxhiut akuzohen edhe 5 persona të tjerë, përfshirë edhe Erisiano Abedinin.

2 Qershor 2021

Rrihet barbarisht për vdekje e hidhet në liqen Fridman Xhaferraj

Trupi i pajetë i një personi u gjet rastësisht në një rezervuar në Korçë 13 qershorin e vitit 2021. Fillimisht u dyshua për mbytje, por ekspertët mjeko-ligjor arritën në përfundimin se ai ishte vrarë gati një javë para se të hidhej në rezervuar. Familjarët arritën të identifikojnë kufomën dhe ai ishte 25-vjeçari Fridman Xhaferraj, nga fshati Plug i Lushnjës. Ai sapo ishte liruar nga burgu dhe duhej të ishte nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”, por në fakt ishte dhunuar barbarisht derisa kishte dhënë shpirt e më pas ishte hedhur në ujë. Mjekët ligjor përcaktuan si datë të saktë të vrasjes së tij, datën 2 qershor 2021. Kufoma ishte hedhur në Korçë, por sipas Policisë vrasja ishte kryer në një vend tjetër. Në atë kohë, Policia pati një të dyshuar, 26-vjeçaroin Lulzim Spahija (Arapi), sot 28 vjeç. Sot, ky është një nga emrat që del si pjesë e grupit të Laert Haxhiut. Në këtë vrasje rezulton të ketë marrë pjesë edhe vetë i penduari Artan Tafani, si dhe 6 persona të tjerë, përfshirë edhe Spahinë e Haxhiun.

3 Tetor 2021

Ekzekutohet në lokalin e tij në Athinë, Dikens Halili

Dikens Halili, 39 vjeç, u ekzekutua më 3 tetor të vitit 2021 në një lokal në Athinë. Halili u qëllua nga një person i maskuar dhe me kapele, i cili iu afrua pronarit në këmbë që ishte jashtë kafenesë dhe po bisedonte me klientët. Autori pasi qëlloi mbi shqiptarin, u largua me një makinë. Mediat greke raportuar se Halili ishte një emër i njohur për autoritetet vendase pasi ishte me precedent të mëparshëm penal dhe dyshohej se vrasja kishte ndodhur për larje hesapesh. Viktima, Dikens Flamur Halili i njohur edhe me mbiemrin Keli, nga Tepelena, dyshohet se ishte pronar i kafenesë dhe atentati ndodhi jashtë biznesit të tij. 39-vjeçari, madje në lokalin e tij ftonte edhe këngëtarë të njohur shqiptar, me të cilët thuhet se kishte edhe miqësi për shkak edhe të punës që bënte. Edhe zbardhja e kësaj ngjarje u bë falë dëshmisë së të penduarit Artan Tafani, i cili ka deklaruar se vrasja e tij është organizuar nga Laert Haxhiu.

16 Tetor 2021

Vritet ish-anëtari i bandës së Lushnjës, Alban Semaku

Alban Semaku, i njohur edhe me emrin Elton Mermali, 38 vjeç, u gjet pa shenja jete mëngjesin e 16 tetorit të vitit 2021 në afërsi të lumit Shkumbin, në Peqin. Ai ishte ekzekutuar me 2 plumba dhe më pas është hedhur nga autorët ne vendin ku u gjet. Trupi i tij u gjet të nesërmen nga kalimtarë të rastit që lajmëruan Policinë. Grupi i ekspertëve shkoi në vendin e ngjarjes dhe pa se aty nuk kishte asnjë shenjë plumbash e për pasojë u rrit dyshimi që trupi ishte sjellë nga një vend tjetër. Viktima u identifikua në morg nga nëna e tij. Ekspertët e Mjekësisë Ligjore thanë se Semaku, që njihej me pseudonimin “Kinezi” ishte vrarë një natë më parë. Ai ishte rrëmbyer në mes të Lushnjës, më pas ishte ekzekutuar dhe ishte hedhur buzë lumi në Peqin. Viktima njihej si ish-anëtar i bandës së Lushnjës. Në vitin 2006, ai ishte ekstraduar nga Italia, pasi Gjykata e Lushnjës e kishte dënuar për një vrasje të ndodhur në atë qytet. Që në atë kohë pati dyshime se autor ose organizator apo financues i atij krimi ishte Laert Haxhiu. Megjithatë grupi hetimor nuk arriti të provonte asgjë në lidhje me përfshirjen apo pjesëmarrjen e Haxhiut në ngjarje, deri kur i penduar Artan Tafani tregoi gjithçka. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku tha se në këtë vrasje kanë marrë pjesë 3 persona, vetë i penduari, Laert Haxhiu dhe Lulzim Spahija.

27 Dhjetor 2021

Ekzekutohet me plumb në kokë, 35-vjeçari Albi Bashaliu

Një atentat me armë zjarri mëngjesin e 27 dhjetorit të vitit 2021, në fshatin Gjoçaj të Peqinit i ka marrë jetën 35-vjeçarit Albi Bashaliu, i njohur edhe me emrin Dijonist. Ai u qëllua me armë zjarri kur sapo kishte dalë nga një lokal në fshatin. Bashaliu u qëllua me një plumb në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Policia tha në atë kohë se viktima ishte qëlluar me një armë me silenciator, pasi banorët e lagjes nuk kishin dëgjuar asnjë krismë. Kjo ka bërë që forcat e rendit të shkonin me vonesë në vendin e krimit, çka u ka dhënë kohë të mjaftueshme autorëve të largohen pa gjurmë. I riu nuk njihej për precedentë të mëparshëm penal. Në atë kohë Policia tha se autorë të krimit ishin dy persona që fillimisht tentuan të largohen me makinë, por duke qenë se mjeti i tyre pësoi defekt dhe nuk ndizej, morën makinën e viktimës dhe e braktisën më vonë në Gosë të Kavajës. U hodhën dyshime për një vrasje me motive hakmarrje, duke qenë se i vëllai 6 muaj më përpara kishte vrarë një person në të njëjtën zonë. Por me vonë u tha se dyshohej prishja e pazareve të drogës. Sipas dëshmisë së të penduarit Artan Tafani, në këtë ngjarje ka marrë pjesë edhe vetë, bashkë me Laert Haxhin dhe 4 persona të tjerë.

8 Qershor 2022

Grupi i Laert Haxhiut vendosi eksploziv në lokalin e Noizy-t

Sipas rrëfimit të të pendarit Artan Tafaniu, më 8 qershor të vitit 2022 grupi i Laert Haxhiut i ka vendosur eksplozivin lokalit dhe dyqanit të babait të reperit Noizy, Bashkim Rajkut. Autorët e dyshuar që i vendosën tritol janë Laert Haxhiu, Artan Tafani, Lulzim Spahija  dhe Erisiano Abedini. Ata akuzohen për “Shkatërrim i pronës me eksploziv” e kryer në bashkëpunim. Rreth 100 gram tritol shpërtheu në bizneset e reperit të njohur Rigels Rajku. Dëmet materiale në dyqanin e veshjeve dhe lokalin që ndodhen në katin e parë të e të dytë të një pallati pranë zonës bregdetare të Durrësit ishin të mëdha. Lënda plasëse ishte vendosur në murin e jashtëm të biznesit dhe ishte ndezur me fitil përcjellës.

 

Rrëfimi i Artan Tafanit hodhi dritë edhe për shumë ngjarje të tjera. Mes të arrestuarve, emrat e të cilëve u artikuluan nga bashkëpunëtori i drejtësisë, ishte edhe një vajzë. Ajo është Klea Gjata, 27 vjeçe, nga Lushnja, e cila ka pasur miqësi me Laert Haxhinë dhe sipas është e përfshirë në një prej ngjarjeve që akuzohet grupi, por mbetet e paqartë se cili ka qenë roli i saj. Së fundmi avokati i saj, pretendon se familja e Gjatës ka marrë kërcënime nga familjarë të viktimave. Sipas avokatit, Detar Hysi, policia dhe prokuroria kanë tejkaluar kompetencat, pasi nuk kanë kryer verifikime dhe konfirmime thëniesh të një të penduari për 3 ditë. Ai ka kërkuar të merren masa ligjore për sigurimin e jetës së qytetarëve.

Nga ato që ka deklaruar i penduari, rezulton se shumë vrasje e krime të tjera janë kryer për qëllime përfitimesh materiale. Pra, duket se Laert Haxhiu, përveç vrasjeve për hakmarrje kundër njerëzve të Aldo Bares, ka organizuar edhe vrasje me pagesë. Por nëse është vetëm ai pas këtyre vrasjeve, apo ka edhe financues të tjerë, kjo mbetet për t’u parë në vazhdim.

Kryeprokurori i Elbasanit, Kreshnik Ajazi, duke folur për rezultatet e operacionit “Never Forget” tha se hetimet ende vijojnë dhe janë dinamike. Por theksoi se deri tani rezulton që autorët kanë vepruar për motive interesi.

Vrasës lind apo bëhesh? Duket se kjo pyetje do të mbetet gjatë pa përgjigje. Megjithatë vrasësi mbetet vrasës. Qoftë i lindur, qoftë i bërë. Dhe asnjë vrasje nuk mund të justifikohet. E një seri vrasjesh, aq më pak./abcnews.al