TIRANË- Banka Botërore ka vlerësuar pozitivisht ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë këtij viti e ndikuar kryesisht nga rritja e konsumit, turizmi dhe ndërtimi.

Në raportin e fundit ekonomik për rajonin Banka Botërore thotë se rritja e punësimit dhe pagave ka ndikuar në uljen e varfërisë e cila vijon të ketë trend rënës.

Po kështu Banka Botërore vlerëson se ka një ulje të inflacionit, ndërsa të ardhurat në buxhet kanë shënuar një rritje me 8 për qind deri në korrik.

Gazetarja e ABC News, Erblina Mile, e ftuar në “Money Report” duke folur për raportin tha se Banka Botërore vuri theksin te përfitimet që do ketë ekonomia shqiptare dhe qytetarët e saj me anëtarësimin në tregun Unik të Pagesave në Euro, apo siç njihet shkurt si SEPA.

Sipas saj, me hyrjen e Shqipërisë në SEPA, qytetarët do kursejnë më shumë para pasi kostot e transaksioneve do bëhen 6-7 herë më të ulëta seç janë aktualisht.

“Banka Botërore tha se anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA është shumë i rëndësishëm për qytetarët. Do të ulë tarifat e transaksioneve, duke marrë parasysh se shumë qytetarë jetojnë jashtë vendit. Ulja është 6-7 herë në krahasim me atë që janë aktualisht. Në vitin e parë të aplikimit, kjo do t’i kursejë ekonomisë shqiptare 20 milionë euro”, u shpreh gazetarja Erblina Mile.

Ajo theksoi se edhe për vendet e tjera të rajonit, opinioni dhe vlerësimi i Bankës Botërore ishte në terma pozitivë.

“Vlerësimi ishte pozitiv eshë për rajonin.”, shtoi ajo.