Tre elektricistë që kishin shkuar në ndihmë të banorëve në fshatin Borje në Kukës, janë zënë në kurthin e borës dhe të të ftohtit para se të mbërrijnë në fshat.

Izolimi mes dëborës teksa nata po binte dhe temperaturat shënonin minus 15 gradë, rrezikonte seriozisht jetën e tre elektricistëve. Borje është një fshat i thellë malor në Kukës; rruga për në fshat ngjitet honeve mes Gjegjanit dhe kufirit me Prizrenin; gjë që e bën edhe më të vështirë përballimin e dimrit.

Banorët e Borjes, sapo kanë marrë sinjalin se tre elektricistët ndodhen të bllokuar në rrugë, janë nisur drejt tyre. OSSHE ka njoftuar se në sajë të ndihmës së banorëve të fshatit, tre elektricistët janë mirë. Por nuk ka mundur OSSHE të japë emrat e punonjësve të vet të rrezikuar.

/Veritas.com.al/