Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi një bisedë telefonike me .inistrin e Jashtëm të Sllovakisë, që mban aktualisht presidencën e BE-së, Miroslav Lajcak.
Lajcak e përgëzoi Bashën për angazhimin me pergjegjësi të lartë dhe lidershipin e treguar në procesin e arritjes së konsensusit, si një kontribut madhor për vendin dhe qytetarët. Zbatimi me sukses i reformës në drejtësi është i një rëndësie të madhe për integrimin dhe të ardhmen Europiane të Shqipërisë theksoi Lajcak.
“Beteja e Partisë Demokratike në procesin e reformës në drejtësi ka qenë prej fillimit e deri në kurorëzimin e saj me sukses, një betejë për standardet dhe parimet europiane të demokracisë, shtetit ligjor dhe për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut”, nënvizoi kryetari i PD.
Basha shprehu vlerësimin e tij për përkrahjen dhe mbështetjen që BE i ka dhënë këtij procesi.
Sfida më e madhe që Shqipëria ka tani përpara janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, theksoi Basha. Lajcak e siguroi kreun e opozitës për angazhimin dhe ndihmën e vendit të tij dhe të presidencës aktuale të BE-së, për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri.