Bashkimi Europian kërkon të krijojë një “kafaz” përreth vetes. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka bërë thirrje për veprim të bashkuar të vendeve të BE-së për forcimin e sigurisë kufitare.

Kjo vjen pas fluksit masiv të emigrantëve nga Maroku drejt enklavës spanjolle të Ceutës. Sipas autoriteteve spanjolle, rreth 70 mijë emigrantë janë kthyer tashmë në Marok.

Ministrat e Brendshëm të vendeve të BE-së pritet të zhvillojnë sot një takim urgjent përmes videokonference, ku kriza në Spanjë do të jetë në qendër të diskutimeve.

Në një letër drejtuar kryeministrit spanjoll, Pedro Sánchez, Von der Leyen vlerësoi menaxhimin e shpejtë të situatës, por theksoi se incidenti tregoi nevojën për forcimin e mëtejshëm të kufijve europianë në pikat kritike.

Ajo kërkoi monitorim të vazhdueshëm dhe përdorimin e barrierave fizike aty ku është e nevojshme, duke nënvizuar se mbrojtja e kufijve të jashtëm është përgjegjësi e përbashkët e Europës.

Nuk dihet ende nëse në këtë takim do të shqyrtohet propozimi i Italisë për të përdorur modelin shqiptar për riatdhesimet.

Kriza ka shkaktuar tensione mes disa vendeve anëtare. Italia pezulloi përkohësisht zbatimin e marrëveshjes së Shengenit me Spanjën, ndërsa Finlanda dhe Danimarka e mbështetën këtë vendim.

Kryeministri çek, Andrej Babiš, kërkoi gjithashtu pezullimin e përkohshëm të Spanjës nga zona Shengen.

Sánchez reagoi ashpër ndaj kritikave, duke theksuar se Ceuta nuk është pjesë e zonës Shengen dhe duke akuzuar disa qeveri europiane se po sulmonin Spanjën për arsye politike.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *