Ish kryeministri Sali Berisha në fjalën e tij në foltoren e parlamentit në këtë seancë të fundit plenare e ka cilësuar konsensusin e arritur për Reformën në Drejtësi si konsensus të imponuar dhe jo të arritur me dëshirë nga palët.
Sipas Berishës, miratimi i draftit të ndryshimeve kushtetuese për Reformën në Drejtësi ishte një fitore e qytetarëve shqiptarë. Por në veçanti për Berishën fitoi PD, e cila arriti me synimet e saj të bëhej promotor kryesor i konsensusit të reformës.
“PD ia doli që këtë mision që dukej i pamundur, ta realizojë dhe ta kthejë në sukses. Përfitues politik kryesor në këtë rast është qeveria, dhe opozita dytësore. PD që në orët e para të fillimit të punës për reformën në drejtësi përballoi të gjitha presionet dhe ishte e gatshme të paguante çdo çmim për konsensusin që i duhej Shqipërisë dhe jo Edi Ramës,” tha Berisha.
Më tej ai u shpreh se humbësi më i madh i Reformës në Drejtësi është kryeministri Rama pasi qevera e tij donte të kapte institucionet e drejtësisë.
“Ai bëri gjithçka kundër konsensusit në dhjetra raste. Ai i bëri gropën konsensusit por në të gjitha rastet ai ra vetë brenda. Përdori miliona euro për të groposur konsensusin,” u shpreh Berisha.