Banka e Shqipërisë njofton se monedha e përbashkët Euro ka zbritur sot nën 136 lekë, duke iu afruar nivelit më të ulët të vitit prej 135.87 lekë, që u arrit më 22 korrik 2016.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye me 135.99 lekë, duke rënë me 0.15 lekë në raport me një ditë më parë. Në të njëjtën linjë ka qenë dhe dollari, që është nënçmuar me 0.34 lekë në 126 lekë.

Aktorët e tregut pohojnë se janë disa arsyet që po ndikojnë në këtë forcim të lekut.

  1. Afrimi i datës 20 të muajit, që është data kur paguhen sigurimet shoqërore dhe bizneset nxitojnë të këmbejnë valutën në lekë për të paguar detyrimet.
  2. Fitorja e Donald Trump si president i SHBA-së në Amerikë ka ndikuar në forcimin e dollarit deri në ditën e sotme. Për rë vënë re është në momentet kur u zbeh optimizmi për zgjedhjen e Donald Trump, ra edhe dollari. Kjo rritje e dollarit në tregun shqiptar stimuloi shitjen, duke sjellë një prurje të tepërt valutash, sipas aktorëve të tregut.

Ka zëra që thonë se në uljen e euro-s ka ndikuar edhe shitja e bimëve narkotike që janë prodhuar në vend; por kjo nuk gjen shumë arsye studimi, sipas revistës ekonomike Monitor.

/Veritas.com.al/