Dymbëdhjetë persona, përfshirë dy fëmijë, u vranë dhe katër të tjerë u plagosën pasditen e 1 janarit në Cetinje të Malit të Zi. I dyshuari për vrasje të shumëfishtë dhe plagosje, Aco Martinoviç, ndërroi jetë gjatë transportit për në spital, pasi qëlloi edhe veten me armë zjarri.
Siç bëri të ditur prokurorja Andrijana Nastiç, vrasjet kanë ndodhur në 5 lokacione të ndryshme, ndërsa në një të 6 ndodhi edhe vetëvrasja e autorit. Sipas prokurores 4 burra u vranë në një tavernë pas një zënke që shpërtheu pas qëndrimit disa orësh atje. Në lokacionin e dytë pati po ashtu 4 viktima, ndërsa në të tretin që besohet të ketë qenë rrugë, vranë dy fëmijë që ishin kalimtarë të rastit. 2 persona u ekzekutuan në dy zona të tjera. Siç mësohet 4 persona janë dërguar në Qendrën Klinike të Podgoricës në gjendje kritike.
Ministri i Punëve të Brendshme, Danillo Sharanovic, tha gjatë një konference të jashtëzakonshme në mesnatë se motivi i ngjarjes është i panjohur, pasi në mesin e viktimave ishin miq dhe kumbara e Martinoviçit. Sipas tij, autori ishte dënuar me kusht në vitin 2005 për sjellje jo të mirë , por nuk ishte konsideruar si person me interes për sigurinë.
Në vitin 2022 atij i janë gjetur armë dhe eksploziv, për çka është dënuar në shkallën e parë me tre muaj burgim. Kryeministri malazez, Millojko Spajiç e ka përshkruar rastin si tragjedi të tmerrshme ndërsa paralajmëroi ashpërsim të kushteve për mbajtjen e armëve. Qeveria e Malit të Zi ka shpallur tri ditë zie kombëtare, më 2,3 dhe 4 janar. Koncertet e organizuara me rastin e Vitit të ri në Podgoricë, Budva dhe Kotor u anuluan. (A2 Televizion)
Komente