Agjencia amerikane “Bloomberg”, e cila bën rankimin e indeksit ekonomik të 169 vendeve të zhvilluara si dhe mbulimin me shërbime shëndetësore, e ngjit Shqipërinë për vitin 2019 me 7 vende.
Indeksi i shëndetit, sipas agjencisë “Bloomberg”, e rendit vendin tonë në vendin e 43-të, dy vite më parë Shqipëria ishte në vendin e 50.
Tanimë, Shqipëria renditet pas Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës, duke lënë pas vende si Sllovakia dhe Hungaria. Bloomberg në këtë rankim merr në konsideratë faktorë që ndikojnë në shëndetin e popullatës si ushqimet që konsumojnë, obeziteti, jetëgjatësia, vdekja foshnjore, por edhe rreziqet që lidhen me duhan pirjen, alkoolin, ndotjen e ajrit apo edhe ndotjen e ujit, si edhe kushtet e sistemit shëndetësor.
Të dhënat zyrtare, “Bloomberg” i merr nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Për vendin tonë vihet re se ka një ulje të faktorëve të riskut siç janë duhanpirja, pasi ka rënë numri i konsumatorëve të duhanit. Moslejimi i konsumit të duhanit në ambientet e mbyllura ka ndikuar në reduktimin e numrit të të dëmtuarve.
Është ulur vdekshmëria foshnjore. Referuar rankimit të “Bloomberg” vihet re përmirësim i shërbimeve shëndetësore ndaj popullatës.
Në vend të parë sipas këtij indeksi renditet Spanja, e cila ka kapërcyer menjëherë 6 pozicione në klasifikim që nga indeksi më i fundit i bërë në vitin 2017; në vend të dytë renditet Italia.
Veritas.com.al/