Kryetari i Dhomës së Avokatisë, Maksim Haxhia ka folur për vendimin që kanë marrë për bojkotin e të gjitha proceseve gjyqësore në të gjitha shkallët e gjyqësorit në kundërshti të hartës së re gjyqësore. Të vetmet seanca që nuk do të bojkotohen janë ato ku jepen masat e sigurisë. Nëse ndonjë prej avokatëve nuk i bindet urdhrit për bojkot, Haxhia sqaron se do të merren masa deri në heqje të licensës.
“Nuk ka asnjë avokat të paqartë. Do bëjmë dhe kërkesë gjykatës që nuk do të marrim pjesë për shkak të këtij vendimi. Masat e sigurisë në mënyrë absolute nuk do të bojkotohen. Ne shpresojmë që kjo grevë të jetë kambanë për Ministrinë e Drejtësisë që të merren parasysh kërkesat tona që nuk janë të avokatëve, por të personave fizikë e juridikë. Nëse avokatët nuk i binden urdhrit të Dhomës të Avokatëve për bojkot, do procedohen ose do merren masa deri në heqjen e licensës. Nëse nuk do të merret parasysh, Komiteti Drejtues do mblidhet për të përcaktuar qëndrimin që do të ndjekim. Të gjithë janë pajtuar dhe nuk është asnjëheri që nuk ka rënë dakord. Kjo situatë nuk zgjidhet me një situatë që krijon akoma më shumë probleme”, tha Haxhia.
Ndër të tjera bëri me dije se bojkoti do të nisë ditën e nesërme dhe do të zgjasë deri të premten. Haxhia tha se ndërgjegjësohen të gjithë ata që duan zgjidhje dhe të paktën të ketë një gjykatë apeli në Shkodër, një në Durrës ose Elbasan dhe një në Fier ose Vlorë. Në rast se nuk merret parasysh, atëherë do të mblidhen sërish për qëndrimin që do të mbajnë.
“Lidhur me projekt draftin e hartës gjyqësore dhe qëndrimin e vlerësuar. Të premten, KLGJ mori vendimin për miratimin e draftit me një ndryshim të vetëm. Tashmë ishte realitet që tavolinat kanë qenë farse propagandistike. Në këto kushte vendosëm të bojkotojmë të gjitha proceset në të gjitha nivelet e gjykimit, përfshi Gjykatën e Lartë. Procesi fillon nesër dhe mbaron të premten. Me këtë bojkot synojmë të sensibilizojmë të gjithë shtetasit se duhet ta kenë të qartë të gjithë personat fizik dhe juridik që nëse duan të kenë zgjidhje të cështjeve gjyqëosre, të ndërgjegjësohen duke dhënë mesazhin që interesat e tyre nuk po përfaqësohen, përkundrazi kjo hartë cënon rëndë aksesin në drejtësi të individëve dhe personave juridik dhe rrit kostot dhe shpenzimet”, tha Haxhia.