Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është i hapur për samitin e tretë me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong-Un, por duhet të kalojë pak kohë përpara se të ndodhë kjo, tha këshilltari i sigurimit kombëtar i Shtëpisë së Bardhë, John Bolton.

Bolton tha në një intervistë me televizionin amerikan ABC, se SHBA nuk ka iluzione për atë që Koreja e Veriut është e aftë, por se Tramp mbetet i bindur në marrëdhëniet e tij personale me udhëheqësin e Koresë së Veriut.”Presidenti ka investuar shumë në zhvillimin e kësaj marrëdhënie dhe është i hapur për mbajtjen e një samiti të tretë për të cilin asgjë nuk është caktuar, pasi ajo duhet të marrë pak kohë”, tha Bolton. Ai tha se Trump është gati të bashkohet sërish me dialogun, pasi ai beson se mundësitë e Koresë së Veriut janë të larta nëse ajo heq dorë nga armët nukleare.

Komentet e Bolton u publikuan pasi dy organizata kërkimore amerikane dhe shërbimi sekret i shërbimit të Koresë së Jugut njoftuan se Koreja e Veriut ishte duke u përgatitur për të nisur një raketë ose satelit nga Sohae në perëndim të vendit. Shërbimi i inteligjencës së Koresë së Jugut tha se kishte veprimtari në objektin Sanumdong jo shumë larg nga Pheniani, ku është prodhuar raketa e parë balistike interkontinentale e Koresë së Veriut.

Bolton nuk deshi të komentojë nëse aktivitetet e reja për lansimin e një rakete të re të Koresë së Veriut do të prishin dialogun me SHBA. Ai vuri në dukje se do të ishte gabim të supozohet se Koreja e Veriut “automatikisht” do t’i respektojë detyrimet e saj. Në fund të javës, Trump u tha gazetarëve se do të ishte i zhgënjyer nëse Pheniani do të vazhdojë me testimin e armëve, transmeton KosovaPress. Koreja e Veriut ka pezulluar testet bërthamore dhe të raketave në vitin 2017.

Veritas.com.al/