Bonusi i fundvitit për pensionistë do të fillojë të shpërndahet duke nisur nga java e dytë e dhjetorit. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të projektit turistik “Divizioni” në Bulqizë.

“Ne do japim nga buxheti i shtetit 100 milionë euro për pensionistët drejtpërdrejtë. Pensionistët që i kanë pensionet deri në 20 mijë lekë të reja do të marrin 150 euro dhe ata me pensione mbi 20 mijë lekë të reja 100 euro. Të gjitha këto para do të fillojnë të disbursohen duke filluar nga java e dytë e dhjetorit”, tha Rama.

Sipas Ramës, ekonomia krijon mundësinë që përveç këtyre 100 milionë eurove të krijohet edhe një fond tjetër për pensionistët, për një bonus tjetër që nuk ka qenë më parë.

“Kjo jo se nuk kemi dashur ne, por se nuk na e ka lejuar ekonomia mundësinë e një bonusi të pranverës. Ky do të jetë një bonus që edhe në mandatin e 4-t ne do të vazhdojmë ta mbajmë në raport me çfarëdo qoftë na sjell më shumë se parashikimi rritja ekonomike”, tha Rama.