Bordi i Transparencës, në 23 mars 2022, në mbledhjen e tij të radhës, ka vendosur që çmimi me shumicë i nënproduktit gazoil do të jetë 227 lekë/litër dhe nënproduktit benzinë për periudhën 23 mars-25 mars 2022, të jetë 208 lekë/litër.

 Pra, nafta do të tregtohet me pakicë 233 lekë për litër, nga 211 lekë për litër që ishte më parë.

Benzina po tregtohet më lirë se nafta, me 218 lekë për litër, kur ishte përgjithësisht një apo dy lekë për litër më shtrenjtë se nafta.

Nga ana tjetër, çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit gaz për periudhën 23 mars-25 mars 2022, mbeti i pandryshuar, 93 lekë/litri.

Vendimi i Bordit hyn në fuqi dhe do të reflektohet më datë 23 mars, ndërkohë që mbledhja e ardhshme e këtij Bordi do të jetë ditën e premte, datë 25 mars me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës, është i detyruar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës në lidhje me çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë.

Organet ligjzbatuese do të kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm, do të zbatohen penalitetet e përcaktuara në Aktin Normativ.

Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë takimit me furnizues të naftës, paralajmëroi se do të ketë masa deri në mbyllje për abuzuesit me çmimet.

“Nuk do të ketë asnjë tabelë në çdo pikë karburanti ku do të shfaqet një çmim pa u aprovuar nga bordi, kush e bën do të humbasë karburantin”, deklaroi fillimisht Rama.

Referuar këtij vendimi, kryeministri ka sqaruar se “është luftë”.

“Nuk jam ideolog i tregut të lirë apo shtetit si fuqi diktuese në ekonomi, por thjesht e vetëm mendoj që liria ekonomike është themelore”, shtoi kreu i qeverisë shqiptare.

Rama sqaroi se përfaqësuesit e qeverisë shqiptare dhe ministrja e Financave dhe e Infrastrukturës dhe Energjisë, drejtori i Doganave dhe kryetari i Autoritetit të Konkurrencës do të jenë në një tavolinë me pesë përfaqësues nga furnizuesit.