Bordi i Transparencës ka vendosur uljen e çmimeve të karburanteve, duke reduktuar me 3 lekë për litër çmimin e naftës dhe me 2 lekë për litër çmimin e benzinës.
Sipas vendimit, çmimi maksimal i shitjes me pakicë për naftën do të jetë 180 lekë për litër, ndërsa çmimi me shumicë është përcaktuar në 168 lekë për litër.
Ndërkohë, benzina do të tregtohet me një çmim maksimal prej 168 lekësh për litër në shitjen me pakicë dhe 156 lekë për litër në shitjen me shumicë.
Vendimi do të hyjë në fuqi duke nisur nga ora 14:00 dhe do të mbetet në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku do të reflektohen ndryshimet e reja të tregut.
Bordi i Transparencës u ka kujtuar operatorëve të tregtimit të karburanteve detyrimin për zbatimin e çmimeve të miratuara, duke paralajmëruar se në rast shkeljesh do të merren masa deri në pezullimin e aktivitetit.
Njoftimi i plotë:
Bordi i Transparencës në datë 16 Qershor 2026, në mbledhjen e radhës vendosi:
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 180 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 168 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 168 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 156 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 16 ora 14.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
SQARIM: Referuar Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, ku është parashikuar, se në rast se çmimi i shitjes me pakicë, për gazoili është më i lartë se 220 lek/litri, apo për benzinën është më i lartë se 200 lek/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në zbatimin e metodologjisë për llogaritjen e çmimeve tavan te shitjes me pakice, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.
Gazoili për peshkim – çmimi i shitjes së gazoilit për peshkim, referuar Ligjit 9975, datë 28.07.2008 “Për taksat Kombëtare”, ne nenin Neni 9 “Përjashtimet nga pagimi i taksave kombëtare”, pika 6 parashikohet: …“Përjashtohen nga pagimi i taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit anijet e peshkimit. Gjithashtu referuar nenit 10, pika 3 germa “d” te Ligjit 61/2012 “Për akcizat në RSH” parashikohet përjashtimi nga detyrimet e akcizes i karburantit për anijet e peshkimit, në sasitë, kushtet dhe kriteret e përcaktuara në VKM. Referuar metodologjise së përcaktuar në aktin normativ, çmimi i shitjes së gazolit për peshkim rezulton 84 lekë.
Komente