Ekonomisë shqiptare i duhet një kartëmonedhë 10 mijë lekëshe, sipas një analizë që ka bërë Banka e Shqipërisë për strukturën e qarkullimit të parasë.

Nevoja për një prerje të tillë është shtruar që para dy vitesh, por ende autoriteti qendror bankar nuk e ka një afat të saktë se kur kartëmonedha e re do të dalë në qarkullim.

Aktualisht prerja më e madhe e lekut në kartëmonedhë është 5 mijë lekë.

Në fund të vitit 2015, rezultuan 125,314,626 copë kartëmonedha në qarkullim me vlerë rreth 235.393 miliardë lekë.

Në krahasim me vitin 2014, numri i kartëmonedhave në qarkullim është ulur me rreth 5.4 milionë copë, ndërsa në vlerë është rritur me 5.6%, raporton Monitor.