Të ardhurat në projektbuxhetin e vitit 2016 pritet të jenë 417.7 miliardë lekë, me një rritje prej 4.9% në raport me buxhetin e rishikuar 2015, sipas tabelave më të fundit fiskale të Ministrisë së Financave.Në vlerë absolute, financat presin të mbledhin 19.5 miliardë lekë, më shumë në buxhet, që do të vijë kryesisht nga përmirësimi i të ardhurave nga TVSH (plus 6.6 miliardë lekë) dhe sigurimet shoqërore (8.4 miliardë lekë). Këto do jenë zërat që do të mbajnë peshën më të madhe të rritjes së buxhetit në vitin e ardhshëm.

Në total, të ardhurat nga tatimet e doganat do të jenë 281.7 miliardë lekë, me një zgjerim vjetor prej 3.4%. Përveç TVSH-së, që pritet me rritje të lartë, tatim fitimi dhe tatimi mbi të ardhurat personale do të kenë një kontribut më modest, me rritje 3.3% dhe 0.8% përkatësisht (shiko tabelën në fund), ndërsa të hyrat nga akciza janë parashikuar në ulje prej 1.1%, pas performancës negative të këtij viti.

Taksa nacionale dhe të tjera, një zë që kishte ecuri të dobët këtë vit për shkak të rënies së çmimeve të mineraleve dhe sidomos naftës në bursat ndërkombëtare, pritet të rriten me 4.6% këtë vit.

Të ardhurat nga pushteti vendor pritet të rriten me 14% në 14.3 miliardë lekë.

Tatimi mbi biznesin e vogël, ndonëse u njoftua sot nga kryeministri Rama, se do të hiqet, pritet të sjellë 1.6 miliardë lekë, me rritje 6% me bazë vjetore.

Futja e 80 mijë punonjësve të rinj në skemë, në kuadër të aksionit kundër informalitetit i ka bërë financat optimiste në zërin e të ardhurave nga fondet speciale, që pritet të rriten me 13.2%, apo 9.3 miliardë lekë (8.4 nga sigurimi shoqëror dhe 1.5 nga ai shëndetësor), për të arritur në 80 miliardë lekë.

 Të ardhurat nga fondet speciale parashikohen me rënie prej 6.3%, pasi nuk priten të ardhura të jashtëzakonshme, si ato nga licencat celulare, që ishin “shpëtimtarët” e buxhetit këtë vit.

 Shpenzimet totale pritet 452.1 miliardë lekë, me një rënie prej gati 1% në raport me një vit më parë. Fondi i pagave do të vijë në ulje me 4.3%, duke zbritur në 61 miliardë lekë, nga 63.8 miliardë lekë një vit më parë.

 Nuk parashikohet fond për politika të reja pagash, për pensionet është 1.17 mld lek.

Shpenzimet për interesa priten në rritje me 5.2%, në 43 miliardë lekë.

Rritje pësojnë shpenzimet operative të mirëmbajtjes, me 4.4%, në 43.5 miliardë lekë.

Megjithëse skema deficitare e pensioneve është përmirësuar vitin e fundit (raporti përfitues kontribues për herë të parë në 2014 u barazua), sërish në buxhet parashikohet një rritje prej 6.5% (9.3 miliardë lekë) e shpenzimeve për fondet speciale.

 Shpenzimet për buxhetin lokal pritet të pësojnë një rritje të ndjeshme, me gati 19% (7.6 miliardë lekë) në gati 48 miliardë lekë.

Fondi i pagesave të papunësisë dhe ndihmës ekonomike pritet të shënojnë një rritje fare të lehtë.

Shpenzimet kapitale pritet të jenë 60.5 miliardë lekë, me një tkurrje prej 4.4% me bazë vjetore.

Rritja me 5% e të ardhurave dhe tkurrja me 1% e shpenzimeve mundësojnë uljen e deficiitit me 40% në 34 miliardë lekë. /monitor