Një ditë pas deklaratës së ish-kryeministrit Sali Berisha për armatosjen e popullsisë, që shkaktoi trazim të madh në opinionin publik, ambasadori amerikan, Donald Lu, shkoi në zyrën e tij për një takim.
E pranishme ishte edhe ambasadorja e BE, Romana Vlahutin.
Burimet thanë se në takim u diskutua për reformën në drejtësi.
Ndërkohë që Lu takohej me Berishën, kryeministri Edi Rama doli në një konferencë për shtyp për të komentuar thirrjet e Berishës.
Rama tha se këto thirrje janë një haluçinacion, qëllimi i të cilave është asgjësimi i reformës në drejtësi.
“Mos merrni seriozisht rrezikun se njerëzit do të marrin armët, se Saliut mbrapa nuk i vete njeri jo për armët, por as për të mbajtur xhaketën, por shqetësohuni për këtë rezistencë, që është rezistenca e kastës. Rezistenca e lidhjes së hershme në mëkat mes sistemit të politikës dhe sistemit gjyqësor. Ju siguroj se reforma do të kalojë, ajo cfarë mbetet për të parë është me çfarë çmimi,” tha Rama.
“E enjtja është bërë dita e veçantë e sebepeve për të shtyrë dhe zvarritur reformën në drejtësi. Sa më shumë rritet presioni i reformës nga publiku dhe ndërkombëtarët, aq më shumë rriten tensionet në Kuvend, sa më shumë ngushtohet rrethi për ata që i tremben reformës, aq më shumë shtohet politika kriminalizuese e PD. Edhe deklarata i shërben kësaj fryme, për të krijuar një atmosferë sa më të rëndë që të justifikojnë braktisjen e reformës”, deklaroi kryeministri.
“Nëse shohim këto muaj, do të shohim që është pjesë e një plani që nga vezët deri tek lodrat. Janë shprehje e një fakti të thjeshtë që plani është i dëshpëruar, ata që duan ta vënë në jetë janë të dëshpëruar. Saliu nuk e do reformën dhe as PD nuk mund ta dojë reformën”, deklaroi Rama.
Nga ana tjetër, Byroja e Kuvendit vendosi të përjashtojë Berishën për dhjetë ditë pas thirrjeve të tij.
Berisha u bëri thirrje qytetarëve nga salla e seancës plenare të Kuvendit që të armatosen për t’u mbrojtur nga qeveria.
Pas kësaj deklarate, reaguan deputetët socialistë që dorëzuan në Byro kërkesën për përjashtimin e Berishës me 10 ditë, ndërsa ministri Tahiri kërkoi edhe nga Prokuroria nisjen e hetimeve për shkeljen e Kodit Penal.