Këngëtarja e mirënjohur me famë botërore, Celine Dion ka anuluar të gjitha shfaqjet, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Ajo ka njoftuar fansat se nuk është mirë nga gjendja shëndetësore për të bërë turne, pasi u diagnostikua me një çrregullim të rrallë neurologjik.

Këngëtarja zbuloi vitin e kaluar se vuante nga Sindroma Stiff-Person (SPS), e cila po ndikonte edhe në të kënduarit. Ajo ka anuluar të gjitha shfaqjet që kishte planifikuar për 2023 dhe 2024.

Në një deklaratë të postuar në Twitter, 55-vjeçarja u tha fansave:

“Më vjen shumë keq që ju zhgënjej të gjithëve edhe një herë. Edhe pse më thyen zemrën, është më mirë që të anulojmë gjithçka derisa të jem vërtet gati të rikthehem në skenë. Unë nuk po dorëzohem… dhe mezi pres t’ju shoh përsëri!”.

Në dhjetor 2022, këngëtarja postoi një video emocionuese në Instagram për të thënë se ajo ishte diagnostikuar me (SPS) dhe nuk do të ishte gati të fillonte një turne evropian në shkurt siç ishte planifikuar.

Ajo tha se çrregullimi po shkaktonte spazma muskulore dhe “nuk më lejon të përdor kordat e mia vokale për të kënduar ashtu siç jam mësuar”.

Sipas BBC, turneu Botëror Courage filloi në vitin 2019 dhe Dion përfundoi 52 shfaqje. Ajo më vonë anuloi takimet në Amerikën e Veriut për shkak të problemeve shëndetësore dhe vonoi pjesën evropiane të turneut.

Të premten, ato shfaqje evropiane të vonuara u anuluan krejtësisht, duke përfshirë datat në Londër, Dublin, Paris, Berlin, Amsterdam, Stokholm dhe Zurich. Në një deklaratë, Dion tha se ajo “po punonte vërtet shumë” për të rikthyer forcën e saj.

“Po punoj shumë për të rikthyer forcën time, por turneu mund të jetë shumë i vështirë edhe kur je 100%,” citohet të ketë thënë Dion.