Gjykata e Lartë e Tiranës mëngjesin e 23 dhjetorit ka njoftuar se ka rrëzuar rekursin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, në lidhje me çështjen “Gërdeci”.
Mediu ishte kundër vendimit të Gjykatës së Apelit të Posaçëm për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila pranoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për rihapje te hetimeve për dosjen “Gërdeci”.
Ish-ministri pretendonte se vendimi i Apelit të GJKKO-së ishte në shkelje të ligjit dhe të parimit të gjësë së gjykuar. Një shkelje tjetër u konsiderua edhe fakti se një gjykatë e vogël prish vendimin e Gjykatës së Lartë.
Më 24 shtator u rihap dosja “Gërdeci” nga Gjykata e Posaçme e Apelit. Gjyqtarja, e cila shqyrtoi çështjen e “Gërdecit”, në Apelin e Posaçëm, ishte Saida Dollani.
Në vendimin e Apelit të GJKKO-së, më 12 tetor, theksohej fakti se Mediu nuk është gjykuar më parë, për shkak të imunitetit të deputetit që zotëronte në atë kohë.
Kjo e fundit pranoi kërkesën e SPAK-ut dhe revokoi vendimin e pushimit të 14 shtatorit të vitit 2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
Në maj, SPAK-u ka kërkuar revokimin e vendimit të Gjykatës së Lartë dhe rinisjen e gjykimit ndaj Mediut.
Mediu akuzohet për shpërdorim detyre, në lidhje me shpërthimin e depos së armëve në Gërdec, ku mbetën të vdekur 26 persona dhe qindra të tjerë të plagosur.
Në cilësinë e përfaqësuesit ligjor të Mediut, Ardian Vishta, e ka cilësuar vendimin Apelit të GJKKO-së si një akt anti-Kushtetues.
Tashmë që çështja u rihap Mediu do të gjykohet.
Si u rikthye pas tetë vitesh çështja “Gërdeci”?
Gjykimi ndaj Mediut u rikthye më 7 maj, kur familja e 7-vjeçarit që humbi jetën, depozitoi në SPAK kërkesën për ndjekjen penale të Mediut.
SPAK, fill pas shqyrtimit të kërkesës, kërkoi hapjen e dosjes dhe revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj Mediut.
Shkaku, për të cilin Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në 2009-ën vendosi pushimin e çështjes penale ndaj Mediut, ishte imuniteti parlamentar.
Më 30 qershor, Gjykata e Lartë shpalli moskompetencë për gjykimin e ish-ministrit të Mbrojtjes.
Në vijim të ndryshimeve ligjore të bëra me reformën në drejtësi, çështja “Gërdeci” i kaloi Gjykatës së Posaçme Anti-Korrupsion.
Ndërkohë GJKKO-ja, më 27 korrik, vendosi që Fatmir Mediu nuk do të gjykohet. Kjo Gjykatë cilësoi në vendim se, që prej vitit 2012 e në vazhdim (më shumë se tetë vjet), organi i akuzës nuk ndërmori hapat e nevojshëm sipas ligjit për ushtrimin e ndjekjes penale.
“Prokuroria nuk ka pasur asnjë pengesë që ta rimerrte të pandehur shtetasin Fatmir Mediu pa kërkuar autorizim për ndjekje penale, apo të kërkonte rishikim të vendimit”, thuhej në vendimin e GJKKO-së.
Kësisoj, Gjykata ravijëzoi se hapja e dosjes “Gërdeci”, “nuk mund të ushtrohet më bazuar në nenin 66 germa ‘b’ të Kodit Penal dhe në nenin 328 pika 1 germa ‘d’ të K.Pr.Penale”.
Por SPAK ankimoi në Apel vendimin e GJKKO-së, duke e cilësuar si të pabazuar në ligj.
Mediu akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim. Si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.
Shpërthimi i Gërdecit
Më 15 mars të vitit 2008, në ambientet e ish-“Brigadës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në Tiranë, ku ushtronte aktivitetin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve luftarake shoqëria “Albademil” sh.p.k., ndodhën një seri shpërthimesh masive që sollën pasoja të rënda.
Si rezultat i kësaj ngjarjeje u shkaktua vdekja e 26 personave, plagosja e rëndë e 27 personave, plagosja e lehtë e 109 personave dhe dëmtime të parëndësishme për 67 persona.
Si dhe dëmtime të tjera të paklasifikuara të 61 personave që janë trajtuar në spitale e qendra shëndetësore.