Martesa – Pavarësisht tundimit të madh për të ndarë me miqtë tuaj problemet në çift, asgjë e mirë nuk vjen nga ankesat. Përveshni mëngët dhe bëjeni martesën tuaj të funksionojë!
Kur lindin mosmarrëveshje brenda martesës suaj, e para gjë që ju vjen në mendje është të gjeni persona që do t’ju dëgjojnë e te të cilët mund të hapeni. Problemi është se teksa kërkoni këshilla nga të tjerët, nuk arrini të analizoni se sa i aftë mund të jetë ai person që t’ju japë këshilla të duhura, ndaj shpesh përfundoni duke folur në veshin e gabuar. Ja cilat janë temat për të cilat nuk duhet të diskutoni në publik.

Mungesa e fëmijëve
Steriliteti është një problem shumë delikat, që të dy partnerët mund t’i acarojë nga nervat. Po ashtu, është shumë e lehtë t’ia ngjisni fajin njëri-tjetrit. I kujt është faji që nuk mund të bëjmë fëmijë?

Kjo mund të jetë shumë e vështirë për t’u përballuar. Vetë procesi i shton presion marrëdhënies, por kur ndodhin komplikime dhe ju fajësoni njëri-tjetrin dhe e diskutoni me të tjerët, kjo mund ta bëjë tjetrin të ndihet fajtor ose inferior.
Financat
Një tjetër çështje e ndaluar për t’u diskutuar me të madhe, janë financat. Sado që mund të jetë stresuese përballja me mungesën e tyre dhe shpesh edhe turpëruese, nuk ia vlen të diskutoni me të tjerët. Ju nuk dëshironi që miqtë t’ju shohin si të papërgjegjshëm ose neglizhentë, veçanërisht nëse është një kohë e vështirë për ju.

Nga ana tjetër, nëse keni shumë para, nuk keni përse t’ua tregoni të tjerëve, sepse do të tingëlloni materialistë. Po ashtu, mos u mburrni për financat tuaja në mënyrë që të bëni të tjerët të ndihen keq apo xhelozë.
Tradhtia
Tradhtia shkakton shumicën e divorcit sot sipas statistikave që rriten çdo ditë, por sado e dhimbshme që është, veçanërisht për gratë, nuk është një çështje që mund ta ndani lirshëm me të tjerët. Me gjithë dëshirën për të shfryrë inatin, apo për të nxjerrë hidhërimin, familja juaj apo miqtë do të krijojë një opinion aq të keq, saqë nëse ju vendosni ta falni njëri-tjetrin, do të keni gjithnjë mbi shpinë barrën e këtij çasti negativ për ju.

Mërzia/zbehja e dashurisë
Po, mërzia mund të jetë një problem real në një familje dhe nëse ndahet me personin e gabuar, mund t’ju çojë në rrugë të keqe. Dëshironi më tepër ekzaltim dhe eksperimente në jetën tuaj monotone? Mos telefononi një mik! Pika e parë e kontaktit tuaj duhet të jetë partneri/ja juaj. Vetëm duke bashkëpunuar, mund t’ia shihni sërish vlerat njëri-tjetrit, apo të vendosni se ka marrë fund.

Gjendja shëndetësore
Nëse doni të ndani gjendjen tuaj shëndetësore me miqtë, kjo është një anë e historisë, por nuk ju takon që të tregoni në publik gjendjen shëndetësore të partnerit/es tuaj, nëse ai apo ajo nuk ju kanë dhënë leje. Kini parasysh se çdo njeri përballet me sëmundjen dhe sfidat në mënyra të ndryshme.

Dikush dëshiron të flasë dhe të ngushëllohet prej të tjerëve, një tjetër që është i ndjeshëm kërkon ta mbajë për vete gjendjen e tij shëndetësore. Jepini tjetrit një mundësi të zgjedhë.
Problemet me vjehrrit
Pra, vjehrra juaj vjen gjithnjë në shtëpinë tuaj duke e ndryshuar mobilimin e saj, apo i sjell bashkëshortit tuaj vaktet e tij të preferuara? Është e vështirë ta mbash gjuhën lidhur në të tilla raste, por më e lehtë është të telefonosh një mikeshë dhe t’ia tregosh të gjitha, sesa të flasësh me bashkëshortin. Mos e bëni këtë, diskutoni në çift për të gjetur një zgjidhje më të mirë.

Sfidat e komunikimit
Çiftet shpesh kanë stile të ndryshme komunikimi. Shumë gra mund të lejojnë që gjëra të papëlqyeshme t’i ndodhin për një periudhë të gjatë kohore, teksa i diskutojnë problemet vetëm me mikeshat e tyre pa i thënë asnjë fjalë bashkëshortit.

Çështjet e parëndësishme, me ngadalë do të përkeqësohen dhe duke mos ia treguar bashkëshortit tuaj që në fillim, do të përfundoni me një problem shumë më të madh dhe partneri juaj nuk do ta kuptojë se nga e ka origjinën ky debat i papritur.
Diskutojini çdo herë gjërat që nuk ju pëlqejnë me partnerin/en tuaj dhe do të shihni se është më mirë kur problemet zgjidhen nga pak, por shpejt.
Problemet e peshës
Të gjithë e dimë se është e lehtë të shtosh disa kilogramë kur je rehatuar në dashuri, kur ke fëmijë apo kur të është shtuar presioni në jetë. Ndërsa kjo mund të jetë një bisedë që nuk të çon askund në tavolinën e miqve, gjithçka ndodh është lëndimi i ndjenjave tuaja, ose të partnerit/es tuaj…

Këshilla: 

Rrethojeni veten nga persona të martuar dhe beqarë dhe zgjidhni me intuitë se kujt do t’i drejtoheni për një këshillë të caktuar, por mos e bëni rrugë për një kohë të gjatë. Problemi dhe zgjidhja e tij është personi që keni në krah dhe më e mira e të mirave është të punoni me të për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje në çift.