Konsensusi i arritur ditën e djeshme mes palëve politike u prish mbrëmë rreth orës 22:00, pasi deputetët e Partisë Socialiste nuk po shkonin në komisionin e posaçëm të reformës në drejtësi, ku po prisnin PD dhe LSI për të miratuar ndryshimet e draftit.
Befas, PS njofton se PD kishte bërë një propozim të ri, që në fakt janë bisedimet paraprake të disa ditëve më parë kur në Tiranë mbërriti ndihmës sekretarja amerikane e shtetit Victoria Nuland. Gjatë negociatave me zyrtaren e lartë amerikane, PS dhe PD ranë dakord që komisioni ad hoc të përbëhej nga 12 anëtarë, 6 nga njëra palë e 6 nga pala tjetër.
Kjo formulë e vetingut u ra dakord gjithashtu që të aplikohej edhe për dy institucionet, KLGJ dhe KLP. Këto propozime u pranuan edhe nga negociatori i PS Engjëll Agaçi dy ditë më parë, që u diskutuan mes tij dhe Oerd Bylykbashit e Ylli Manjanit. Por, këto dakordësi nuk u shënuan në procesverbalin e takimit 3-palësh të negociatorëve, por u konsiderua konsensus “me fjalë”. Kur kreu i PD Basha njoftoi mesditën e djeshme se u arrit me sukses konsensusi, mbrëmë në Komisionin e posaçëm PS nuk po paraqitej dhe njoftoi se demokratët nxorrën propozim të ri. Ky propozim në fakt ishte marrëveshja që kishin arritur negociatorët politikë dy ditë më parë, por i konfirmuar edhe nga vet Edi Rama disa herë kur fliste për “vijën e kuqe”.
Në këtë moment, deputeti i PS Fatmir Xhafaj deklaroi dje se në seancën e sotme për votim në Parlament do të kalojë varianti i vjetër i draftit, që u miratua para disa ditësh në komisionin e posaçëm pa praninë e opozitës. Kjo për shkak se në mbledhjen e djeshme të komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi, deputetët e PS nuk u paraqitën dhe në këtë mënyrë drafti i ri i arritur me konsensus dje në mesditë mes palëve nuk u votua, që do të thotë se nuk mund të hyjë sot për votim në Parlament.
Por, mbetet edhe një mundësi e fundit. Sot në orën 09:00 kryeparlamentari Ilir Meta ka njoftuar mbledhjen urgjente të Konferencës së Kryetarëve dhe mbetet për t’u parë nëse do të gjendet zgjidhje që për votim në Parlament të futet drafti i dakordësuar dje nga të gjitha palët apo drafti i vjetër i pranuar vetëm nga PS.