Kreu i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho i ka dërguar një letër ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ku i kërkon informacion për ngjarjen e ndodhur në Rinas.
“Duke qenë se kjo ngjarje ka nevojë për një trajtim dhe analizë më të thelluar dhe informacion më të plotë, u kërkua nga komisioni që të informohet nga ana e ministrit të Punëve të Brendshme lidhur me gjithë problematikën e mësipërme, duke shmangur çështjet dhe detajet konkrete që janë objekt i hetimit nga organet e prokurorisë. Informacioni do të jetë i disponueshëm vetëm për anëtarët e komisionit për Sigurinë Kombëtare dhe Kryetarin e Kuvendit”, – thuhet ndër të tjera në letrën e Brahos.
Pak ditë më parë grabitja në Rinas shkaktoi debate të ashpër në Komisionin Parlamentar të Sigurisë. Deputeti i LSI-së, Luan Rama kërkoi që të thirren në komision Ministri i Brendshëm dhe drejtuesit e policisë për ngjarjen, që sipas tij është alarmante, pasi cenon sigurinë kombëtare dhe linjën e kufirit.
Ish ministri i Rendit Luan Rama ishte i pakursyer në kritika dhe akuza duke i kujtuar autoriteteve qeverisëse se grabitje në aeroport nuk ka pasur as në vitin famëkeq ’97, kur në duart e popullsisë civile ishin mbi 700 mijë armë dhe kur më shumë se gjysma e territorit të vendit ishte jashtë kontrollit të shtetit.