Ish-diplomati amerikan, Christopher Hill gjatë dhënies së dëshmisë të tij në Hagë tha se nuk donte që Adem Demaçi të kishte rol udhëheqës në UÇK.
Hill e cilësoi Demaçin si një person me mendime të forta dhe të vështirë për të bashkëpunuar, transmeton KosovaPress.
“Ai ishte gjithmonë shumë i rreptë shumë strikt për çdo temë, kishte një lloj mllefi se kishte qenë i burgosur dikur, njihej si një person me opinone shumë të forta ndaj Serbisë, nuk ishte një person me të cilin mund të bashkëpunoje, kishte opinione shumë të forta dhe shumë mirë që kishte opinione të veta dhe u qëndronte fortë, por në aspektin e bashkëpunimit ishte shumë i vështirë dhe ne nuk ishim të interesuar ta promovonim atë si person”, tha Hill.
Gjatë pyetjeve të trupit gjykues, Hill tha se Demaçi mendonte se duhej të kishte pozicion udhëheqës në UÇK për shkak të vuajtjeve të tij të mëparshme.
“E saktë, e kam takuar disa herë dhe ndonjëherë personat që kanë mendime të forta kanë edhe ndikim dhe nuk doja të isha në një situatë ku nuk i dija mendimet e tij, por për faktin e bashkëpunëtorëve tonë personalisht unë nuk isha në favor të z.Demaçi që ta konsolidonte këtë ekip. Duhet të kuptoni që në mungesë të sistemit komandues, kishte një lloj lufte për pozicione mes personave dhe ai mendonte se kishte vuajtur më shumë se të tjerët dhe i takonte rrjedhimisht një rol drejtues…10:13:00… Nuk më takonte mua të caktoja se kush duhet të kishte rol udhëheqës apo drejtues, por unë nuk doja që të ishte ai personi që të konsolidonte këtë rol, pra ishte shqetësim sepse kur takon amerikanët ata marrin një pozicion tjetër kanë një lloj influence, kështu që unë e takova personin në mënyrë që të shmangia një situatë që ai ta shfrytëzonte takimin që ta avanconte pozicionin e vet”, tha diplomati amerikan.
Kujtojmë se Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit ndodhen në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020. Ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime të pretenduara të luftës për çka janë deklaruar të pafajshëm./Kosovapress
Komente