Frrok ÇUPI
Fati i Anglisë “në Europë apo jashtë saj?”, ka prurë në skenë përsëri epizmin politik të kryeministrit të famshëm Chuchill. Çuditërisht, ditë pas dite, teksa kryeministri aktual Cameron lëviz nëpër shtigje të ngushta e të rrezikshme gjografike e politike, sjell para syve tanë pamjet epike të burrë-shtetit të madh Churchil. Por edhe fatin e tij politik. Edhe rreziqet që iu kanosen konservatorëve anglezë pikërisht për arsyet e europianizmit… Të gjitha në radhë
Anglia ka vendosur që më 23 qershor, ditë e enjtë, të zhvillojë referendumin nën pyetjen ” Të qëndrojmë, apo të dalim nga Bashkimi Europian?”. Jo vetëm anglezët, por gjithë bota, më shumë se anglezët po tronditet nën peshën e këtyre pyetjeve.
A do të dalë Anglia prej Bashkimit Europian, ku hyri vonë dhe hezitueshëm, në vitin 1973?! Pyetja, përsëri si në balada, shtrohet pas një jete njeriu, pas 43 vjet që nga dita kur Anglia është anëtar e BE.
Fati i Europës së Bashkuar, por edhe fati i Anglisë ndodhen në një fije peri. Interesant, është momeni kur dy “kundërshtarët” varen prej njëri tjetrit, njësoj si në zgripet e historisë. Aq sa Anglia e ardhshme varet nga qëndrimi ose jo në BE, aq edhe e ardhmja e BE varet shumë nga vota e anglezëve më 23 qershor. Në qoftëse Anglia “exit”, kjo do të thotë se del jashtë Bashkimit ekonomia e dytë më e fuqishme e Bashkimit Europian, një ekonomi prej 2.9 trilion dollarë, një nga fuqitë më të mëdha ushtarake dhe njëkohësisht më e pasura e Bashkimit.
Ndërsa pyetja shtrohet me peshë të madhe për secilin, ai që po mban mbi shpatulla barrën më të madhe është kryeministri konservator anglez, Cameron. Cameron përfaqëson atë grupim politik që për të tretën herë tenton të mos e pranojë anëtarësinë e Anglisë në BE. Dy kryeministra të famshëm konservatorë, Margeret Theatcher dhe John Major e kanë pësuar humbjen pikërisht para pikëpyetjeve nëse Anglia do të qëndrojë në Europë apo jo.
Epoka e solli që përsëri një kryeministër konservator të vihet para dilemës: “To be or not to be!?…”.
… Para pak ditësh, kryeministri i ri konservator, Cameron, në ora pesë të mëngjesit doli direkt para mediave; direkt nga një takim me krerët e Europës ku vendosej mbi fatin europian të Anglisë. Hera e parë që dëgjojnë në epokën e re që një kryeministër i këtij niveli të lartë del, nga takimi i gjithë natës, në ora pesë të mëngjesit. Cameron tërheq këndej nga Bashkimi Europian, ndërsa kabineti i tij është i përçarë. Akoma më tej që grupimi i tij politik konservator heziton me anëtarësimin në Bashkimin Europian. Mirëpo kryeministri Cameron do me çdo kusht qëndrimin në BE.
… Deri në ora pesë të mëngjesit në takim me krerët europianë, me qëllim që të sigurojë një paketë, një argument pse qytetarët anglez duhet të qëndrojnë në BE. Të vjen në mendje përsëri kryeministri Churchill. Të vjen në mendje një çështje cruciale për Europën, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Në Potsdam të Gjermanisë, maj 1945, zhvillohej mbledhja e burrave të shteteve që dolën fitimtarë nga Lufta. Po ndahej bota, ose po mbahej bota në unitet!? Kjo ishte çështja. Pak ditë pasi kishte filluar Konferenca e Postdamit, kryeministri Churchill la takimin. Do të kthehej urgjent në Angli. Zhvilloheshin zgjedhjet parlamentare. Nga zgjedhjet e asaj radhe varej vota e Anglisë në favor të Europës për ndarjen e zonave. Kaq e rëndësishme ishte.
… Lajmi se kryeministri Cameron doli para gazetarëve në ora pesë të mëngjesit, me të drejtë të kujton largimin e Churchill nga Konferenca e Postdamit. Fatet e Europës varen përsëri në dorë të Anglisë… Imagjinoni karvanë me burra-shteti anglosaksonë që shkojnë në Europë dhe kthehen nga Europa.
Epizmi e shoqëroi politikën e Anglisë ndaj Europës gjatë gjithë kohës. Kanë nisur ethet e mëdha të një vote popullore dhe të dilema e të mëdha.
Çfarë do të ndodhë më 23 Qershor?!
Gjithçka projektohet që tani. Kryeministri Cameron ndodhet në një epikë lufte politike të rrallë. Po provon ato që provohen në një luftë të vërtetë.
E para,
Lufta e dilemave.
Kryeministri deklaron se në qoftë se Anglia qëndron në BE, atëherë “Anglia do të jetë më e sigurtë dhe më mirë”. Kundërshtarët e kësaj ideje thonë se sikur Anglia të qëndrojë në BE, atëherë do të kërcënohet nga terrorizmi i stilit të Parisit. Zoti Smith, një anëtar i rëndësishëm i kabinetit deklaroi se ” po të qëndrojmë në BE, atëherë mbetet një derë e hapur për terroristët. Kryeministri Cameron po thotë se ” duke u larguar nga BE do t’ju duket sikur keni fituar sovranitet, por kjo nuk është reale…”. A mund të kemi fuqi të insistojmë në Europë pa pasur informacionin ndërkufitar me shtetet europiane?- shtroi pyetjen Cameron. E, atëherë pa këtë lidhje nuk mund të mbrohemi nga terrorizmi.
E dyta,
Lufta me miqtë e afërt.
Cameron, nuk e di nëse e kishte parashikuar që t’i kishte miqtë armiq. Mr. Churchill e kishte parashikuar. Prandaj edhe la në mes Konferencën e Postdamit ku ndahej bota pas Luftës dhe u nis drejt Londrës. A e dinte Cameron se miku i tij, Boris Johnson do të dilte kundër votës për të qëndruar në Bashkimin Europian? Boris ësntë anëtar i Parlamentit Anglez dhe njëkohësisht kryetar i Bashkisë i Londrës. Boris deklaroi se “Referendumi është shansi i vetëm në jetë për të bërë ndryshim real”. Tha se do të bëjë fushatë që Anglia të largohet. “Është momenti të dalim nga BE, për të treguar trimëri dhe jo të ndjehemi sikur jemi nurse e Brukselit dhe po ndejmë këmishat e Europës”. Johnson, miku i Cameron po thërret se “Europa ishte veç një projekt politik, por është një rrezik i vërtetë që të dalim nga kontrolli demokratik”.
E treta,
Lufta brenda kabinetit.
Deri tani dy anëtarë të kaninetit të Cameron janë shfaqur kundër qëndrimit të Anglisë në BE. I pari është sekretari për Punë dhe Pensione, Mr. Duncan Smith. Ai deklaroi se do të votojë për daljen nga BE. Arsyetimi ishte në lidhje me migracionin. Tha se emigrantët do të sillen “edhe me ne” si me Francën. Tha se rreziku terrorist mbi Anglinë vjen nga qënia anëtare e BE. Qëndrimi ndaj emigracionit është pika më e nxehtë që mund t’i shtyjë anglezët të votojnë për daljen nga BE… Anëtari tjetër i kabinetit është sekrtari për Drejtësinë, Mr. Michael Gore. Ky mik i afërt i Comeron deklaroi pardje se ” Të qëndrosh apo të largohesh nga BE, ky është vendimi më i vështirë në jetën time politike”. Kabineti i konservatorëve anglez ka qenë gjithnjë i përçarë përsa i përket pranisë së Anglisë si anëtare në BE. Mbledhja e fundit e kabinetit i kujtoi kryeminitrit Cameron mbledhjen e vitit 1982, në kuadër të Luftës për ishujt Folkland.
E katërta,
Çfarë e vë në pikëpyetje luftën e Cameron për ta mbajtur Anglinë brenda BE? Edhe aleatët. Skocia po vihet në një gjendje dilemash ekzistencialiste. ” Në qoftëse Anglia del nga BE, ne nuk dalim. Por menjëherë pas kësaj do të kemi referendum nëse do të qëndrojmë me Anglinë, apo jo!” deklarojnë skocezët…Kushedi sa balanca anglosaksone vihen në rrezik.
Edhe një element i epikës alias Churchill:
Cameron ndodhet para sfidave të mëdha. Por edhe fati i ka vendosur në një dekor mrekullues. Referendumi pro ose kundër BE, do të zhvillohet në kulmin e Festivalit të famshëm Muzikor të Glastonburry, si edhe në kulmin e Kampionatit Europian të Futbollit. shikoni, përcaktohet fati mes festash të mëdha!
Duket si një mrekulli.