Drejtori i Institutit të Ndërtimit, Agron Hysenlliu, ka ndërruar jetë si pasojë e infektimit nga Covid 19, . Ai u shtrua në spitalin Infektiv dhe është futur në intubim 3 ditë më parë.
Gjendja shëndetësore e Hysenlliut ishte rënduar, ndërsa mjekët përpiqeshin që kreu i Institutit të Ndërtimit të arrinte nivelin e duhur të saturimit të oksigjenit në gjak, mbi 90. Duke parë gjendjen e rënduar të tij, familjarët e Agron Hysenlliut po bënin tentativa për dërgimin e tij në Turqi.
Në një status në rrjetin social facebook kryebashkiaku Erion Veliaj shkruan se Hysenlliu ishte një profesionist i shkëlqyer, që nuk u kursye asnjë ditë duke ndihmuar këdo që humbi shtëpinë në tërmetin e 26 nëntorit.
Inxhinieri la pas projekte zhvillimi për shumë lagje e zona në Tiranë, një pjesë e të cilave u prekën nga tërmeti i fuqishëm i nëntorit të vitit të kaluar, e që shkaktoi dëme të mëdha në disa qarqe të vendit.
VERITAS.COM.AL