Austri:

Qeveria austriake shpalli sërish karantinën. Jeta publike është reduktuar në minimumin e domosdoshëm.

Austria kalon për herë të dytë në karantinë. Gjysma e reparteve të reanimacionit të Austrisë janë të mbushura me pacientë me Covid-19. Në disa zona madje 80 përqind e shtretërve spitalorë janë zënë me pacientë me Covid-19. Prandaj në të gjithë Austrinë u shpall një karantinë e përgjithshme.

Numri i infektimeve po shtohet, dhe shkollat janë mbyllur. “Mos tako askënd,” tha në televizionin austriak kancelari Sebastian Kurz, në mënyrë që ta kalojmë “Krishtlindjen sa më të sigurt.”

Nga shtëpia lejohet të dalin vetëm ata që duhet të shkojnë te mjeku, në farmaci, të punojnë ose të bëjnë pazar. Kancelari Kurz ka njoftuar gjithashtu se në Austri do të zhvillohen teste masive si në Sllovaki. Në Sllovaki u testuan 3.6 milion qytetarë dhe u zbuluan 38,000 raste pozitivë me Covid-19.

Pak para karantinës së dytë shumë qendra tregtare në Austri bënë oferta të ndryshme duke filluar nga mobiljet deri tek këpucët. Megjithatë Dhoma Austriake e Tregtisë pret një rënie prej 50 përqind të shitjeve gjatë vitit 2020.

Qeveria vjeneze do t’i kompensojë shitësit me pakicë për humbjet gjatë kësaj karantine me 20 deri në 60 përqind të sasisë së shitjeve gjatë nëntorit të vitit të kaluar. Sipas parashikimeve Austria pritet të ketë një rënie të nivelit të shitjeve prej rreth dy miliardë eurosh në vitin 2020. Tregtia është një degë e rëndësishme e ekonomisë në Austri, në të cilën punojnë më shumë se gjysmë milion vetë.

Zvicër:

“Business Standard” thotë se në Zvicër të gjithë shtretërit në terapi intensive, janë të zënë. Praktikisht vendi ka mbërritur kapacitetin maksimal në këto njësi. Alarmin e dha vetë shoqata kombëtare e mjekëve, e cila i nxiti njerëzit më të cënueshëm të lënë një shënim me shkrim ku të shpjegojnë nëse pranojnë të vendosen në intubim. Vendi me 8.5 milionë banorë, është duke përjetuar një shpërthim të ri të infeksionit me më shumë se 83.500 raste të raportuara që prej datës 3 nëntor.

Hungari, Meksikë, etj.

Mjekët në Hungari sakaq po paralajmërojnë se mungesa e stafit të kualifikuar mjekësor për trajtimin e pacientëve me koronavirus në repartet e kujdesit intensiv, mund të çojë shpejt në një rritje të numrit të vdekjeve dhe në shembje të sistemit të brishtë të kujdesit shëndetësor të vendit, pavarësisht blerjes se pajisjeve te shtrenjta mjekësore nga ana e qeverisë. Në Itali, ekspertët thonë se virusi është bërë “më i lig” e shkakton tani 4 vdekje në 100 të infektuar.

Vetëm Meksika dhe Irani e kanë më keq këtë shifër; në Gjermania, treguesi i vdekshmërisë shkon në 1.6%. Rusia sakaq shënoi brenda 24 orësh 22.400 infektime të tjera, por nga ana tjetër ka një rënie shpresëdhënëse të rasteve aktive. Megjithatë, me masat urgjente të qeverive, në disa pjesë të kontinentit të vjetër vala e dytë e sëmundjes po jep shenja ngadalësimi. Shifrat po stabilizohen në Gjermani e Spanje dhe janë në rënie në Belgjikë, Francë e Holandë, por ekspertët sërish thonë se është ende shumë shpejt për t’u qetësuar.

VERITAS.COM.AL/