Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar në lidhje me arrestimin e Fredi Belerit, kandidat i Berishës e Metës për bashkinë e Himarës.

Reagimin i DASH është bërë për median greke, teksa iu është përgjigjur korespondentëve grekë në Uashington.

Në mediat greke thuhet se një përfaqësues i Departamentit të Shtetit të SHBA-së kërkoi të sigurohet vlefshmëria e zgjedhjeve, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të respektojnë ligjet dhe rregullat.

“Ne kemi kërkuar vazhdimisht nga autoritetet dhe partitë politike që të sigurojnë që votuesit të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre themelore demokratike për të shprehur vullnetin e tyre përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Është e rëndësishme që të gjithë të respektojnë ligjet dhe rregullat që rregullojnë zgjedhjet, si dhe rregullat ndërkombëtare, duke përfshirë ndalimin e blerjes ose shitjes së votave.

U bëjmë thirrje autoriteteve që të zbatojnë të gjitha ligjet dhe rregulloret në mënyrë të drejtë dhe të barabartë.

Zyrtarët e ambasadës amerikane po i bashkohen institucioneve të tjera ndërkombëtare për të monitoruar zgjedhjet në të gjithë vendin”.- thuhet në reagimin e DASH.