Ky zhvillim vjen pas përplasjeve mes zyrtarëve komunalë, në krye me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, dhe Policisë së Kosovës, qysh në mëngjesin e 28 nëntorit. Komuna insistoi fillimisht që vepra të vendosej në Ministrinë e Ekonomisë, duke argumentuar se kishte të gjitha autorizimet, por Ministria e Ekonomisë argumentoi të kundërtën.

Komandanti i Policisë, Fatmir Balaj, disa orë më pas e njoftoi Ramën se kanë pranuar zyrtarisht vendimin e Prokurorisë për ndalimin e punimeve për vendosjen e kësaj vepre në Ministrinë e Ekonomisë, deri në vendimin e gjykatës.

Retkoceri, ndërkaq, më herët i tha Radios Evropa e Lirë se qëllimi i pengesës është që bllokohen projektet komunale, duke akuzuar autoritetet qendrore se po japin urdhra politikë.

Policia paralajmëroi Ramën – i cili urdhëroi punëtorët që të vazhdonin me vendosjen e veprës në fasadën e ministrisë – se do të arrestohej kushdo që do të vazhdonte punimet.

Por, si erdhi situata deri këtu?

E gjitha nisi më 20 nëntor, kur Komuna nisi punimet për vendosjen e muralit kushtuar Nënës Terezë. Komuna e Prishtinës pretendon se ka bazë ligjore për të vendosur veprën artistike, e cila fillimisht u tha se ishte mural, e më pas mozaik, duke argumentuar se ndërtesa e Ministrisë së Ekonomisë është pronë publike.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Leutrim Retkoceri, gjatë një konference të përbashkët për media me Ramën të mbajtur mëngjesin e së shtunës pranë Ministrisë së Ekonomisë, tha se i kanë pesë vendime që lejojnë punimet.

“Të jemi të qartë, Komuna e Prishtinës administron dhe jep pëlqime dhe lejet për të gjitha fasadat e objekteve në kryeqytet në bazë të rregullores dhe legjislacionit në fuqi”, tha ai.

Ai një ditë më parë ka publikuar pesë dokumente që tha se mbështesin ligjshmërinë e projektit. Ndër to, ai edhe gjatë konferencës të së shtunës, përmendi edhe pëlqimin, që tha se Komuna ka marr nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Në të, në pjesën e lëndës shkruan “konfirmim i ligjshmërisë së atit të Komunës së Prishtinës”. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e cilësoi pengesën për vendosjen e veprës kushtuar Nënë Terezës si “të papranueshme dhe patolerueshme”.

Ai u ankua se Qeveria e Kosovës “tash e sa vite po bllokon rregullisht projektet e kryeqytetit”, duke përmendur një sërë prej tyre, përfshirë edhe punimet për bulevardin Xhorxh Bush. Komuna tha se ka ndarë mjetet për këtë projekt, në vlerë prej 14.875 eurosh.

Por, Ministria e Ekonomisë ka paraqitur të tjera argumente për këtë projekt. Mbrëmjen e 27 nëntorit, kjo ministri përmes një reagimi tha se Komuna e Prishtinës ka dhënë pëlqim për ndërhyrje në një objekt që nuk është në pronësi dhe as në menaxhim të saj, “pa autorizim, konsultim apo njoftim paraprak të ministrive përgjegjëse”.

“Ndërhyrjet e datës 20 nëntor janë kryer kundërligjshëm, arbitrarisht. Po ashtu, pa masa mbrojtëse, duke rrezikuar sigurinë e qytetarëve dhe duke shkaktuar dëme materiale”, tha Ministria.

Komuna e Prishtinës, sipas Ministrisë së Ekonomisë, ka subvencionuar një projekt dhe Drejtoria e Shërbimeve Publike e Komunës së Prishtinës më datë 28.09.2026 ka lëshuar pëlqim për realizimin e këtij projekti në objektin, “i cili nuk është në pronësi dhe nuk menaxhohet nga Komuna. Pëlqimi është i kundërligjshëm dhe i pa nënshkruar nga drejtori i kësaj drejtorie”.

“Këto veprime Komuna e Prishtinës i ka bërë pa konsultuar dhe pa njoftuar paraprakisht Ministrinë e Ekonomisë dhe Ministrinë për Dixhitalizim dhe Administratë Publike, ndonëse Komuna e Prishtinës as nuk është pronare e as nuk ka të drejtën e menaxhimit me objektin e Ministrisë se Ekonomisë”, u tha në reagim.

Sipas saj, Prokuroria ka pezulluar punimet dhe përkundër kësaj, siç pretendoi Ministria, Komuna e Prishtinës tentoi të vazhdonte punimet mëngjesin e 27 nëntorit, por u ndalua nga Policia e Kosovës.

Ministria e Ekonomisë tha se nuk e kundërshton vendosjen e veprës artistike kushtuar Nënës Terezë, por kërkon që të respektohet ligjit.

“Çështja në fjalë nuk ka të bëjë me përmbajtjen e veprës artistike, por me mënyrën e ndërmarrjes së veprimeve nga Komuna e Prishtinës përmes kontraktuesve, mungesën e komunikimit dhe koordinimit ndërinstitucional, dëmin e shkaktuar ndaj institucioneve shtetërore, si dhe respektimin e vendimeve të organeve kompetente”, tha Ministria.

Komuna e Prishtinës, e udhëhequr nga Rama, përveç se e ka akuzuar shpesh nivelin qendror për “bllokim” projektesh, ajo më herët ka pasur edhe një përplasje lidhur me buxhetin komunal. /REL

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *