Nga Rosalba Bejdo

Për opozitën në Maqedoninë e Veriut ka shpërthyer festa. Kandidatja e VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska-Davkova fitoi bindshëm raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në atë që konsiderohej një test kyç edhe për zgjedhjet e përgjithshme më 8 maj. Davkova siguroi 40.10 për qind të votave dhe do të përballet në balotazhin e muajit të ardhshëm me presidentin aktual, Stevo Pendarovski, i cili sipas të dhënëve numëron 19.93 për qind të votave.

Duke folur pas shpalljes së rezultatit, Davkova tha se nuk është kundër integrimit evropian të vendit, por kërkon që integrimi “të mos bëhet duke dëmtuar interesat shtetërore e kombëtare maqedonase”.

“Të jem e sinqertë nuk e prisja këtë diferencë kaq të madhe votash. Jam shumë krenare, sidomos për qytetarët e mi. Jo vetëm ata që me votuan, por edhe për të tjerët”, tha ajo.

Mes 7 kandidatëve në garë për presidencën, ishin edhe 2 shqiptarë, të cilët nuk ia dolën të fitonin vota të mjaftueshme për ta siguruar balotazhin. Bujar Osmani nga Fronti Europian mori 13.36 për qind të votave, ndërsa Arben Taravari nga koalicioni opozitar VLEN 9.21 për qind të votave. Por të dy ata i kanë parë zgjedhjet si një garë mes tyre, me kandidatin e BDI-së Osmani që foli për një fitore të thellë kundrejt kandidatit të Vlen.

Sakaq, kandidati i koalicionit Vlen, Arben Taravari sulmoi rivalin Osmani që siç tha nuk pranoi të koordinoheshin për një president shqiptar.

“Ata preferuan të manipulojnë me vota joshqiptare”, deklaroi Taravari, i cili shtoi se kjo do të merrte fund në zgjedhjet e 8 majit.

Në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen bashkë me raundin e dytë të presidencialeve pritet të triumfojë VMRO-DPMNE-ja në opozitë, e cila ka kundërshtuar lëshimet për hir të integrimit, si ndryshimi i emrit apo kushtetutës për përfshirjen e pakicës bullgare.

 

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *