“Vendet e rezervuara” që lideri i opozitës Lulzim Basha ka vendosur si të vetmin kusht për konsensus me mazhorancën, nuk ishin të vetmet diskutime që janë bërë gjatë ditës së djeshme në mbledhjen e grupit të Partisë Demokratike.
Deputeti Genc Ruli ka pasur shqetësimin edhe për nenin e mosdiskriminit të orientimit seksual, pjesë e draftit të reformës në drejtësi, që i hap rrugën martesave gay (brenda të njëjtës gjini).
Ruli është shprehur se nuk do ta votojë këtë draft, ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha i cili në një replikë me të, tha se nuk është kjo çështje ajo që shqetëson më tepër opozitën e cila sipas tij duhet të jetë e fokusuar për të mos lënë kapjen e sistemit të drejtësisë nga krimi.
Debatet janë zbardhur nga “Gazeta Shqiptare”
Genc Ruli: “Neni është futur në draftin që shkon në Komisionin e Posaçëm për shqyrtim dhe unë nuk do e votoj”
Sali Berisha: “Z.Ruli, aktualisht kjo nuk është një çështje e rëndësishme. Ajo që na shqetëson më tepër është çështja e reformës në drejtësi dhe moslejimi i kapjes së drejtësisë nga Edi Rama. Ne duhet të jemi të qartë në qëndrimin tonë për të mbështetur moskapjen e sistemit nga krimi”.
Lulzim Basha: Ju kam mbledhur për të vendosur si grup parlamentar se nuk mund të pranojmë variantin e qeverisë për reformën në drejtësi, por atë që rekomandon të bardhë mbi të zezë Komisioni i Venecias. Ndaj, duhet të vendosim, pasi siç duket, mazhoranca e ka vendosur që ta miratojë që në mbledhjen e sotme (djeshme) të Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi. Ne i japim mbështetje draftit vetëm me një kusht, rekomandimi 88 i Komisionit të Venecias. Zbatimin e rekomandimit 88 të Venecias. Adoptim të plotë dhe jo të pjesshëm siç kërkon mazhoranca qeverisëse. Nëse pala tjetër bie dakord, jemi gati të miratojmë në parim që sot draftin kushtetues. Por, ne duhet të jemi të gjithë të unifikuar, pasi çdo gjë tjetër çon në kapjen politike të procesit të reformës në drejtësi dhe produktit të reformës, përfshirë Vetingun. Z.Bylykbashi do t’ju informojë për negociatat e zhvilluara me palën tjetër.
Oerd Bylykbashi: Ne kemi vazhduar negociatat me përfaqësuesit e PS-së edhe gjatë mbrëmjes deri vonë, por mazhoranca nuk tërhiqet nga qëndrimi i mëparshëm, pavarësisht se opozita nuk kërkon asgjë më shumë se rekomandimi 88 sipas ‘Venecias’ dhe nuk do të pranojë asgjë më pak. Ka vetëm një çështje që mbetet për t’u zgjidhur, që është vendimmarrja për emërimin e organeve kolegjiale të sistemit të drejtësisë, e vetmja çështje që opozita ka propozuar pikë më pikë me paragrafin 88 të Komisionit të Venecias. Kemi bërë propozimin, jemi në negociata.
Sherefedin Shehu: Z.kryetar, doja të dija a keni pasur më kontakte me ndërkombëtarët për çështjen e reformës pas deklaratave të bëra nga ambasadorët e SHBA-ve dhe BE-së?
Lulzim Basha: Kam folur me z.ambasador dhe i kam thënë se deklarata nuk ishte as e drejtë dhe as e ndershme.