Frrok Çupi/

Që në mëngjes, zoti Ilir Meta, që dje u votua në Kuvend si President i Republikës, ka shpallur nismën e tij për të “negociuar” me Opozitën për zgjidhjen e krizës politike që ka mbërthyer vendin. Ka njoftuar publikun përmes mediave “të tij” dhe jo të tij- se “si president” i Republikës do të hyjë në negociata.

Pa menduar aspak, në këtë rast, se ku zgjidhet kriza- në Opozitë apo në qeveri, çfarë të bën të mendosh me trishtim për Demokracinë është ‘arratisja’ prej institucioneve, dmth.,  prej ‘shpirtit’ të shtetit. Vetë i përzgjedhuri si President i Republikës, Ilir Meta, akoma nuk ka mandatin e  Presidentit. Mandati i tij fillon të nesërmen e datës 24 Korrik- sipas Kushtetutës së Republikës.

Atëherë si do të bëjë zoti Meta negociata me Opozitën në rolin e ‘presidentit’ të republikës?! Kjo është çështja. Në momentin kur i përzgjedhuri si President, merr rolin para kohe të atij çfarë mund të jetë një ditë tjetër, menjëherë njeriu mendon se këtu nuk ka vlerë principi dhe Demokracia; as Kushtetuta. Domethënë Opozita paska të drejtë të ngujohet në protestë, jo një muaj e as një vit, por një shekull; derisa Demokracia të pranohet në institucionet e shtetit.

Maxhoranca aktuale, edhe si qeveri edhe si opozitë, është e asaj kategorie politike që kërkon të funksionojë jashtë sistemit. Ka një ngjashmërisë  me libertianët që krijojnë klimën e idesë se ‘unë si person vendos cila është e mirë e cila është e keqe’. Papa Francesku, dje, në një takim në Vatikan, foli ashpër kundër rrezikut të libertianëve në Botë, të cilët godasin ‘vlerat e përbashkëta’. Përplasjet mes ‘liberalëve’ majtistë dhe konservatorëve ‘populistë’; që rezultuan me Brexit në Britani, me zgjedhjen e Donald Trump në Amerikë, me atmosferën në Francë, me daljen e shpejtë nga BE të Hungarisë, Polonisë, dhe me një ‘Finex’ të shpejtë në kohë- dëshmon rritjen e frikës nga idetë libertiane. Këta kanë formuar ‘socializmin kaotik’ që përbën të njëjtën pamje me daljet nga sistemi.

Vendi ynë ndodhet në një fazë kur shtetin e ka në kaos: Pa Opozitë, pa Drejtësi funksionale, pa Avokat të Popullit, pa Kuvend… dhe më në fund pa qeveri të besueshme. Të gjithave iu ka mbaruar mandati.

Maxhoranca aktuale majtiste po tenton të bëjë zgjedhje parlamentare pa praninë e Opozitës. Madje janë betuar se do ta bëjnë këtë me 18 qershor. Disa thonë se ky është ‘kthim në monizëm’ por nuk është vetëm kaq. Kjo ide është ‘kapje’ pas ideve të ‘socializmit kaotik’ të libertianëve- ku për mendimin tim bëjnë pjesë (me dije ose pa dije) edhe majtistët e Shqipërisë.

Megjithëse mbrëmë në mesnatë ka mbaruar e drejta e partive që të regjistrojnë kandidatët për deputetë në KQZ, partitë e majta po tentojnë që ‘me çdo çmim’ të regjistrojnë kandidatët pavarësisht nga afatet dhe kufijtë. Arratisja nga institucionet demokratike, duke thërritur ‘demokraci’ është tipike për liberalët (libertianët) që tashmë në Europë kanë krijuar klimën e shpërbërjes.

Edhe në periudhën kur majtistët ndodheshin në opozitë (2009- 2013) kërkuan akte ‘demokratike’ jashtë sistemit demokratik. Thirrja e gjatë në kohë ‘Hapni kutitë!’ e votimit e la vendin në një pezull institucional për një periudhë të gjatë, derisa krijuan edhe përplasjen fizike me institucionet e shtetit në 21 Janar 2011, duke akuzuar nënkryeministrin Ilir Meta si ‘të korruptuar’.

Por kërkesa ‘hapni kutitë’ nënkuptonte akt ‘jashtë- sistem’. Opozita e kohës kërkonte që ‘kryeministri të hapte kutitë’. Kjo nuk mund të ndodhte në një demokraci parlamentare. Vendimi për rinumërimin e votave mund të kryhet vetëm në bazë të akteve gjyqësore. Por opozita (sot në qeveri) nuk pranoi ofertën për ‘vendim në gjykatë’, as për akte ‘në Kuvend’. Jo, e kërkonte në qeveri, ku nuk të lejon principi dhe vlera kushtetuese (!).

Libertianët e kërkojnë amullinë si një ‘demokraci’. Për masat popullore kjo shijon si ‘e modës’ dhe ‘interesante. Në fakt është shkatërrimtare për vlerën dhe për Republikën…

Vetë presidenti i ardhshëm thotë se mund të luajë si president i ditës; ose edhe pasi të mos jetë- të jetë. Një libertian mendon se vendos ky ku ëështë qendra e botës, ose ky vendos cila është vlera e përbashkët, “cila është e mirë e cila ështe e keqe”, cila ‘është gabim’ e cila’ është e pagabuar’… Absurdi i demokracisë jashtë vlerës së përbashkët, siç duket e lë edhe Opozitën në rrugë, në Çadër, në kërkim të Republikës.

/Veritas.com.a/