Ridvan Peshkopia
Një emision televiziv (https://exit.al/1-ne-5-gra-dhunohet-fizikisht-ose-seksualisht-ne-vend/comment-page-1/#comment-22972) ofronte një raport të OSBE-së për dhunën kundër grave. Duke qenë se jeta ime profesionale është shumë e lidhur me mbledhjen dhe analizimin e të dhënave, përfshi ato të opinionit publik, literatura në fushën time por edhe përvoja personale më tregon se të dhënat duhen lexuar me kujdes sepse nuk ka asgjë më të lehtë se sa të keqlexohen apo manipulohen të dhënat. Libra të tillë si “Si të gënjesh me statistikat” [How to Lie With Statistics] apo “Genjeshtra, gënjeshtra të mallkuara dhe statistikat” [Lies, Damn Lies, and Statistics] kanë hyrë tashmë në literaturën klasike të manipulimit të të dhënave.
Drejtuesi i emisionit, një njeri jo i paditur, duke përdorur formatin “me pak fjalë,” siç është edhe titulli i emisionit, ofroi këto statistika të raportit:
1. Rreth 1 në 5 gra në Shqipëri është dhunuar fizikisht ose seksualisht nga partneri.
2. Ndërsa 2 në 3 gra raportojnë se kanë pësuar dhunë psikologjike.
3. 170 mijë gra kanë përjetuar të paktën një herë dhunë fizike ose seksuale nga partnerët, burri ose i dashuri.
4. Rreth 120 mijë gra kanë përjetuar të paktën një herë dhunë fizike ose seksuale nga jo partnerët. (Dhuna psikologjik, e cila përfshin abuzimin me fjalë, sjellje kontrolluese, kufizim të lirisë, përçmim dhe kërcënime, raportohet më shumë nga gratë.)
5. Rreth 50% e grave raportojnë sjellje kontrolluese nga partneri i tyre, 22% raportojnë për dhunë ekonomike dhe 11% për shantazh.
6. 1 në 3 gra në Shqipëri raporton se është ngacmuar seksualisht ndërsa 13% raportojnë se janë përndjekur.
7. Në vitin 2019, mbi 20% e vrasjeve të ndodhura ishin raste të vrasjes në familje dhe mbi 90% e tyre ishin gra.
I lexuar kështu, raporti duket shqetësues dhe se në Shqipëri burrat sundojnë mbi gratë me një regjim terrori. Por kjo mund të jetë një pasqyrë e deformuar e marrëdhënieve ndërgjinore në shoqërinë tonë dhe sensacionalizimi i saj nga media kësisoj nuk ndihmon aspak në kapërcimin e problemeve reale të shoqërisë tonë, përfshi të drejtat e grave.
Synimi im nuk është aspak të mohoj dhunën në Shqipëri, përfshi edhe atë ndërgjinore (vrapimi me zell i gazetarëve pas saj me synimin biznesor të rritjes së shikueshmërisë nuk do të më lejonte edhe sikur të doja unë). Ajo çka unë dua të theksoj është se në Shqipëri ka dhunë ndërpersonale dhe se dhuna gjinore është një përbërëse e kësaj dhune ndërpersonale. Kësisoj, lufta kundër dhunës ndaj grave nuk duhet parë në aspektin gjinor por në kuadër të luftës kundër dhunës ndërpersonale në përgjithësi.
Raporti sillet sikur burrat shqiptarë zgjohen në mëngjes me një plan në kokë se si të dhunojnë ndonjë grua, shumë gra apo ndoshta të gjitha gratë e botës. Kjo është qesharake edhe kështu siç e shkruaj unë dhe jo më të ndodhë vërtet kështu. Nëse burrat do kishin ndërtuar një “vëllazëri mashkullore” të tyre dhe do kishin vendosur paqen intragjinore me qëllim që të shtypnin me sa më efikasitet gratë, atëherë do të na duhej të shqetësoheshim vërtet dhe madje edhe të alarmoheshim për dhunën ndërgjinore. Por kur shumica e padiskutueshme e dhunës në shoqëri ushtrohet nga burrat kundër burrave, besoj se është e nevojshme që cilatdo të dhëna për dhunën ndërgjinore duhen vendosur në kontekst. Sepse pastaj veçse ndërtojmë narrativa të rrema, shpresa të kota, pritshmëri të tepruara dhe zhgënjime të mëdha.
Me qëllim dramatizimin e dhunës kundër grave, drejtuesi i emisionit thekson edhe dhunen psikologjike, e cila, sipas tij, “përfshin abuzimin me fjalë, sjellje kontrolluese, kufizim të lirisë, përçmim dhe kërcënime.” Po ashtu, në raport theksohet edhe “dhuna ekonomike” dhe “shantazh.” Këto të gjitha janë koncepte të papërcaktuara qartë të dhunës dhe madje ende të debatueshme në psikologji dhe psikologji sociale. Mbi të gjitha, ato lidhen ngushtësisht me mjedisin kulturor dhe social ku veprohet. Importimi i koncepteve perëndimore në pytësorët në vende jo-perëndimore dhe anasjelltas nuk ndihmon aspak. Nëse në Perëndim dënimi me vdekje quhet shkelje e të drejtave të njeriut dhe në vendet joperëndimore quhet drejtësi, pse qenka Perëndimi ai që e ka të drejtën morale. Si do ta tregojë Perëndimi se martesa mes burrave qenka niveli më i lartë moral ku shoqëria ka shkuar derimë tash përveçse me vetëdeklarim? Pse konsiderimi i abordimit të foshnjave të palindura qenka një nivel më i lartë i të drejtave të njeriut/grave dhe jo një akt barbar? Koncepti i dhunës psikologjike qëndron fort mbi kontekstin normativ shoqëror dhe çfarë mund të konsiderohet “dhunë psikologjike” në një vend, nuk është e tillë në një vend tjetër.
Po ashtu, “dhuna psikologjike” mbështetet kryesisht në vetëperceptim, çka e bën atë vështirë të matshme dhe një koncept i cili lundron i lirë nga të gjitha anët. Përkufizimi i saj si “abuzimi me fjalë, sjellje kontrolluese, kufizim të lirisë, përçmim dhe kërcënime” veçse e çgjinizon këtë lloj dhunë sepse, e tillë, ajo ushtrohet mes shqiptarëve nga të gjitha anët, mes gjinive dhe brenda tyre. Kjo nuk thotë asgjë për dhunën ndërgjinore mes shqiptarëve dhe, duke qenë se është kontekstuale, nuk flet asgjë nëse shqiptarët janë më të dhunshëm apo më pak të dhunshëm se sa shoqëritë e tjera.
Nuk është e vështirë ta mbërthesh këtë raportim të të dhënave në problemet e tij metodologjike flagrante, siç janë mos reciprokimi ndërgjinor. Po meshkujt si u përgjigjen të njejtave pyetje (indeksuar me deformimin në përgjigje që vjen nga normat sociale, sado i vështirë të jetë ky ushtrim)? Gjetja e përgjigjeve për sjelljen politike/shoqërore është sport i vështirë dhe kërkon bashkëpunim shkencor të gjerë dhe shumë të specializuar dhe nuk mund të reduktohet në sondazhe shabllone të OSBE-së me një agjendë të qartë liberale mbas saj. Po ashtu, nëse hiqet faktori i dhunës ndërpersonale (dhunë mes njerëzve, pavarësisht gjinive), një funksion që në modelim statistikor quhet kontroll për një ose disa variable, sa nga ajo që mbetet është dhunë ndërgjinore dhe sa nga kjo dhunë ndërgjinore është e drejtuar përjashtimisht nga burrat te gratë?
Raporti thotë se “në vitin 2019, mbi 20% e vrasjeve të ndodhura ishin raste të vrasjes në familje dhe mbi 90% e tyre ishin gra.” Po sa ishin ato vrasje. Po të ishin 5, vetëm dy prej tyre mos kishin ndodhur sipas dinamikës burrë-grua, atëhere rezultati zbriste nën 50%. Po ashtu, raportimi televiziv nuk thekson se numri më i madh i vrasjeve është burrë-burrë dhe se ky duhet të jetë po aq shqetësim sa vrasjet burrë-grua dhe anasjelltas. A nuk mundet një herë të vërejmë se njerëzit po vriten, pavarësisht gjinisë?
Feministet priren të thonë se normat sociale nuk lejojnë raportimin e dhunës së burrave mbi gratë, sidomos brenda familjes. Por po ato norma shtypin edhe më shumë raportimin e dhunës së grave ndaj burrave, si brenda, ashtu edhe jashtë familjes. Raportimet e dhunës së burrave ndaj grave çojnë peshë në zemërim dhe solidaritet me gratë mediat, rrjetet sociale dhe gjithë shoqërinë, ndërsa raportimet e dhunës së grave ndaj burrave shndërrohen në objekt humori dhe përqeshjeje. Më thoni tani, cili grup ka më shumë dhe cili ka më pak nxitje të raportojë dhunën që pëson?
Unë nuk dua aspak të them se dhuna ndaj grave nuk ekziston, por thjesht dua të tërheq vëmendjen te dhuna ndërpersonale në përgjithësi. Sepse do të ishte utopi që të mendohej se në një shoqëri të dhunshme, papritur dhe magjikisht ne do mund të ndalonim dhunën ndaj grave, por burrat kokën le të hanë me njeri tjetrin. Kjo mënyrë të menduari dhe vepruari nuk ka aspak qëllim të ndihmojë gratë por t’i shërbejë ideologjisë neomarksiste në shpartallimin e bashkëpunimit ndërgjinor, i cili ka mbajtur shoqërinë të lidhur deri më sot dhe e ka ndihmuar atë të kapërcejë luftra, uri dhe sëmundje dhe zëvëndësimin e saj me premisën e rreme se burrat dhe gratë janë dy grupe sociale të papërputhshme, të papajtueshme dhe pashmangshmërisht në luftë kundër njeri-tjetrit. Do edhe ca rrugë deri atje por edhe marksizmi rrugën e tij drejt “moralitetit” e hapi me pseudoteori të tipit të mbivlerës. Shtypja e grave nga burrat është mashtrimi aktual neomarksist.
Raporte të tilla që shënjestrojnë vetëm dhunën kundër grave zakonisht u paraprijnë fondeve për fushata nga OJQ-të, të cilat është treguar pafund në literaturë se kanë efekt që lëviz nga zero deri në të papërfillshëm në uljen e kësaj lloj dhune. OJQ-të (të cilave mashtrueshmërisht u pëlqen ta quajnë veten e tyre shoqëri civile) nuk kanë asnjë nxitje racionale të riparojnë problemin mbi të cilin punojnë. Shumë nga drejtuesit tyre kanë të lidhur jetesën (shpesh të një cilësie relativisht të lartë) me mbijetesën dhe moszgjidhjen e problemit. Por edhe nëse do të donin ata, problemet sociale nuk zgjidhen me aksion social; ky i fundit vlen vetëm për të kënaqur narcisizmin e aktivistëve socialë, të cilët, të udhëhequr hapur apo nënkuptimisht nga ideologjia neomarksiste, mendojnë se zelli i tyre revolucionar do të sjellë ndryshimin. Por historia ka treguar se ndryshimet revolucionare sociale janë shpesh të pambajtshme pa strukturat përkatëse socioekonomike, ndërkohë që ekzistenca e këtyre të fundit sjell ndryshim edhe pa zellin revolucionar të aktivistëve. Përparimet e pamata të grave sot nuk e kanë bazën në aktivizmin e disa feministeve soroiste por te revolucioni digjital dhe strukturat socioekonomike që ai po sjell. Sot gratë mund të punësohen në një gamë më të gjerë punësh se kurrë më parë dhe këtë nuk e sollën OJQ-të apo raportet e OSBE-së apo aktivistet me flokë të gjelbër. Sot femrat mund të shkollohen dhe punësohen si kurrë më parë dhe këtë nuk e solli aksioni neomarksist feminist por angazhimi kolektiv i popullsisë, burra dhe gra, në mbështetje të nevojave të shoqërisë bashkëkohore. Në sfond të këtyre arritjeve të mëdha, aktivizmi ka sajuar mekanizma të tillë perversë si kuotat gjinore të cilat vetëm se i parodizojnë përpjekjet e grave për përparim (ju kujtohet kur na duhesh edhe mjelëset në komitet?). Mundësitë e mëdha që ofron sot ekonomia, kombinuar me vullnetin njerëzor (jo gjinor) të grave i ka orientuar ato si asnjëherë më parë drejt shkollimit dhe aktivizmi feminist i gjithë botës nuk vlen sa një vit më tepër shkollë për femrat.
Vendi ynë vuajti gjatë nga lufta klasore marksiste dhe nuk e ka tani luksin të kalojë në luftën gjinore neomarksiste. Ashtu si edhe marksistët, të cilët sajuan luftë klasash në një shoqëri pa klasa, edhe neomarksistët duan të krijojnë një luftë gjinore atje ku nuk është e nevojshme. Studimet, por edhe përvoja jonë e hidhur me inxhinerimin social të Njeriut të Ri Socialist, kanë treguar se inxhinerimi social çon në shtigje të panjohura dhe shpesh të rrezikshme. Ne nuk kemi nevojë ta inxhinerojmë artificialisht përparimin e grave me aksion revolucionar. Ai vjen vetë, organikisht, me kombinimin e zhvillimit të strukturave socioekonimike që e mbështesin atë dhe vullnetin individual të grave për përparim. Deformimi dhe keqleximi i të dhënave është një përpjekje e pasinqertë për të nxitur një inxhinerim të tillë.
Unë do ta kisha kaluar me nënqeshje të gjithën këtë sikur raporti të mos vinte nga kalbësira neomarksiste si OSBE-ja, një sajesë e Perëndimit për të futur hundët gjithandej dhe përhapur ideologjinë neomarksiste si zgjidhje të konflikteve (zgjidhje të cilat i mbajnë konfliktet përjetësisht të hapura). Perëndimi duhet të jetë referenca e fundit e jona si model për fuqizimin e grave. Perëndimi shkoi brenda një brezi nga komodifikimi i fizikut të grave te hyjnizimi i mbipeshës së tyre, nga hiperseksualizimi i grave te aseksualizimi i tyre, nga puritanizmi kristian te promiskuoziteti pagan. Sjelljet sociale skizofrenike të Perëndimit parreshtur e kalojnë çlirimin e grave përmes seksit të tyre: liritë e grave Perëndimi i lidh me liritë e tyre seksuale, lirinë e abortit dhe tani së fundmi, lirinë për ta zgjedhur vetë gjininë e tyre. Që zbatimi i të gjitha këtyre “lirive” lenë trauma të pashlyeshme te femrat, evidenca empirike veçse ka filluar t’i tregojë (shihni një emision më të fundit në 60 Minutes të ABC-së). Dhunë është të shkulësh foshnjen e palindur nga barku i nënës. Dhunë është mastektomia, prerja e gjinjve të femrave të cilat vuajnë nga disforia gjinore dhe duan të shndërrohen në meshkuj, në vend që t’u ofrohet atyre konsulenca psikologjike apo shërbimi psikiatrik aq i nevojshëm. Dhunë është po ashtu mbushja e buzëve, gjinjve apo vitheve të femrave me silikon për t’u konformuar me modelet seksuale të Perëndimit, apo qethja e kokës, ngulja e pirseve apo shqyerja e veshëve sipas këtyre modeleve.
Sa për vete, unë do vazhdoj me modelin e Rilindjes Kombëtare: Shkollimi është e vetmja rrugë e prekshme dhe e suksesshme në fuqizimin e femrës. Nëse shkollimi nuk funksionon, atëhere duhet më shumë shkollim…
VERITAS.COM.AL