Në rajonin italian ku jetoj prej tridhjetë vjetësh, në Toskanë, çdo 30 nëntor celebrohet një festë unike dhe shumë e veçantë.
Atë ditë të vitit 1786, Duka i Madh, Pietro Leopoldo di Lorena, nënshkroi reformën penale, e cila për herë të parë në historinë e botës, zhbëri dënimin me vdekje dhe torturën.
Ishte një akt që bëri bujë në të gjithë Evropën. “Vdekja e dënimit me vdekje”, siç quhej në atë kohë, ishte bija e kulturës së iluminizmit dhe e shkrimeve të një juristi si Cesare Beccaria, i cili, në librin e tij të famshëm “Dei delitti e delle Pene” (Për krimet dhe dënimet), kishte argumentuar: “Mua më duket absurde që ligjet që janë shprehje e vullnetit publik, që e urrejnë dhe dënojnë vrasjen, e kryejnë vetë atë dhe, për të mbajtur qytetarët larg vrasjes, urdhërojnë një vrasje publike”.
Beccaria argumentonte gjithashtu se qëllimi i dënimit nuk është hakmarrja ndaj fajtorit, por parandalimi i tij nga kryerja e krimeve të tjera dhe se efektiviteti i dënimit nuk qëndron në mizorinë e tij, por në shpejtësinë dhe sigurinë e zbatimit të tij.
Teksti që Cesare Beccaria ka shkruar, është një nga traktatet që më së shumti ka patur një ndikim të thellë dhe të qëndrueshëm në ligjin penal. Këto teori, të cilat ishin revolucionare në vitet 700’, kanë bërë rrugën e tyre nëpër botë dhe sot 142 vende kanë hequr dënimin me vdekje.
Midis tyre, të gjithë ata evropianë që e kanë bërë kontinentin një zonë të lirë nga dënimi me vdekje, një kontinent i banuar nga 820 milionë banorë.
Edhe në Shtetet e Bashkuara, ku dënimi me vdekje ka qenë gjithmonë i rrënjosur në frymën e popullsisë dhe në legjislacion, Virginia ishte së fundmi shteti i 23-të, ku u vendos të hiqet dënimi me vdekje nga praktikat e tij gjyqësore.
Nuk ka dyshim se evolucioni demokratik dhe humanitar i bashkësisë ndërkombëtare e konsideron heqjen e dënimit me vdekje si një hap themelor që një komb të konsiderohet pjesë e atyre të qytetëruar. Kjo, arsyeja pse më shumë se tre dekada më parë, lindi Konventa e Kombeve të Bashkuara kundër Torturës dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Këto ditë, përballë vdekjes makabre të djaloshit tetë vjeçar, të gjithë jemi të përfshirë dhe të mbushur nga ndjenja e tmerrit, dhimbjes, zisë dhe reagojmë me një shpërthim të dhunshëm zemërimi për të ndëshkuar autorin e krimit barbar. Pjellë e një akti të çmendurisë kriminale, i dhunës shtazarake ndaj një fëmije sa të pambrojtur aq edhe të pafajshëm.
Ky zemërim i verbër dhe i dhunshëm është përforcuar nga jehona e mediave sociale, është ushqyer nga dhimbja e pafundme e familjes, është ndezur nga ndërhyrjet e personazheve publike dhe madje ka gjetur formën e një peticioni popullor që kërkon linçimin e autorit.
Por klima e krijuar dhe këto veprime nuk janë më pak të tmerrshme sesa ajo e kryer nga një njeri, që me sa kuptohet, nuk i zotëron aftësitë e tij mendore.
T’i kërkosh qeverisë shqiptare të dorëzohet dhe t’i japë pëlqimin kësaj ndjenje hakmarrjeje të opinionit publik, është e barabartë me kërkesën për t’u larguar nga komuniteti i vendeve të qytetëruara dhe shoqërive të shëndosha, për t’u bashkuar me radhët e atyre pak (më pak se 60), që ende praktikojnë dënimin me vdekje.
Do të thoshte të zhytesh në histori, duke kaluar nga shpresa për të hyrë në Bashkimin Evropian dhe përqafuar vlerat e tij bazuar tek të drejtat e njeriut, në logjikën e sundimit të gjakmarrjes së Kanunit të Lek Dukagjinit, apo të përndjekjes hakmarrëse.
Dalja e kryeministrit Edi Rama, menjëherë pas këtij krimi makabër, për të shtyrë mbrapsht këtë valë dhune, qe hapi i duhur dhe ripohoi rrugën e marrë drejt një kulture qytetërimi. Mbrojtja e Kodit tonë dhe logjikës penale është një rrugë qytetërimi, ndonëse e mbushur me pengesa dhe kontradikta.
Vala e kërkesës për varjen në mes të sheshit do të kalojë. Dhe shpresoj që një diskutim i logjikshëm dhe racional, të fillojë. Pyes veten pse një virus i lashtë i egër dhe i dhunshëm që del fuqishëm nga kronikat tona çdo ditë, është më i përhapur sesa COVID në popullin tonë.
Hyrja në Evropë nuk është vetëm çështje rregullash formale apo parametrash ekonomikë, por mbi të gjitha një ndryshim mentaliteti. Të bëhesh evropian do të thotë të besosh në ligjshmëri, të respektosh rregullat, të kujdesesh për të mirën e përbashkët, të harrosh kulturën e dhunës dhe të gjakut dhe gjithashtu të ndash vlera si respekti për jetën njerëzore dhe për të drejtat e çdo individi./ Albanian Post/