Një krim i rëndë brenda familjes ka ndodhur në Memaliaj. Mësohet se djali ka vrarë babiën e tij mëngjesin e sotëm me sëpatë.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Shalës ku Arjan Shahaj, 35 vjeç ka vrarë babanë e tij Iliaz Shahaj. Autori pas krimit është larguar nga vendi i ngjarjes dhe policia është vënë në ndjekje të tij.

Ka qenë kryeplaku i fshatit që ka njoftuar policinë për vrasjen. Policia ka nisur hetimet dhe ka ngritur postblloqe për kapjen e autorit. Dyshohet se i riu vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Nga ngjarja mësohet se atë e bir kishin dalë në pyll për të bërë dushk për bagëtitë.

Dyshohet se mes tyre ka pasur një sherr të çastit, çka ka sjellë edhe veprimin makabër të 35-vjeçarit Arjan Shahaj

Po kështu mësohet se 35-vjeçari pak kohë më parë tentoi të vrasë një kushëri ndërsa në vitin 2003 ka tentuar të vrasë të ëmën. Policia e Memaliaj është vënë në ndjekje të autorit i cili dyshohet se është fshehur në pyjet e fshatit.

Veritas.com.al/