Produktet tradicionale dhe autentike që janë shndërruar në “markë shqiptare”, mbrohen tashmë duke u regjistruar si produkte me emërtim origjine të mbrojtur (EOM apo GI).
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, solli në rrjetet sociale shembullin e Valterit nga Kelmendi, Malësi e Madhe, që është një nga prodhuesit e djathit “Mishavinë”.
“Krenarë të ndajmë lajmin se pas një kalvari të gjatë kërkimi dokumentues e hulumtues të traditës dhe teknologjive ushqimore, të plotësuar me aktet ligjore dhe nënligjore, tashmë do të mbrojmë produktet e identifikuara si produktet tona shqiptare të origjinës- Produkte me Emërtim Origjine të Mbrojtur (EOM apo GI)”, shkroi Krifca.
Krifca tha se “e fillojmë këtë regjistrim të parë me një produkt të Kelmendit- djathin “Mishavinë”. Një produkt më shumë se 100-vjeçar, të cilin duke e mbrojtur si Produkt Origjine të Mbrojtur i ruajmë identitetin shqiptar por dhe i japim vlerë”.
“Mbajmë angazhimin e dhënë si me Valterin para disa muajsh, një nga prodhuesit e Mishavinës. Nxisim në këtë mënyrë zhvillimin bujqësor, rural dhe turistik, në drejtim të ruajtjes së traditës dhe përmirësimit të cilësisë së jetës në zonat rurale, përmes gjenerimit të të ardhurave nga shtimi i vlerës së produkteve cilësore”, u shpreh ministrja Krifca.
“Emërtim Origjine” nënkupton emërtimin gjeografik të një vendi, rajoni ose lokaliteti, i cili shërben për të përcaktuar një produkt me origjinë nga këto vende, cilësia ose karakteristikat e të cilit i atribuohen ekskluzivisht ose në thelb mjedisit gjeografik, duke përfshirë faktorët natyrorë dhe njerëzorë.
Produkte të tilla të certifikuara deri më tani nga Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale janë mishi i kecit të Hasit, boronica e bjeshkëve kuksiane dhe të Tropojës, gështenja dhe mjalti i gështenjës së Malësisë së Madhe, gështenja dhe mjalti i gështenjës së Tropojës.
Shqipëria është një vend që ka shumë produkte të kësaj natyre, të cilat duhen identifikuar dhe nxitur për t’u certifikuar, pasi regjistrimi kombëtar, e më tej ai ndërkombëtar, ndikojnë në rritjen e vlerës së këtyre produkteve tradicionale, në gjallërimin e zonave rurale, në ruajtjen e biodiversitetit, të trashëgimisë kulturore dhe gastronomike dhe ofrojnë mundësinë e njohjes në tregjet e huaja të produkteve karakteristike shqiptare.
Këto kushte favorizuese vlejnë gjithashtu edhe për subjektet e huaja, të cilat, duke e pasur emërtimin e origjinës të mbrojtur në Shqipëri, gjenden në një klimë më të sigurt të ushtrimit të biznesit të tyre dhe do të mund të pasurojnë tregun vendas me produkte me karakteristika unike./ ATSH/